Drejtësinë nuk na e vendosin dot të huajt… Nga Rob Kore

0
4
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shumë shqiptarë duken të ekzaltuar dhe plot shpresë nga besimi i përhapur se, Don Lu dje dhe Yuri Kim sot, do vendosin Drejtësinë në Shqipëri. Shprehjet si “E ka marrë në dorë Amerika”, ose “Amerika atë që nis do ta përfundojë”, janë disa nga argumentat që zakonisht ata përdorin. Përse është naivitet të besosh gjëra të tilla?

E para, Drejtësia as nuk mund të importohet, as nuk mund të diktohet. Drejtësia është një nga 4 shtyllat që mbajnë në këmbë një demokraci. Nuk ka ndodhur në asnjë vend dhe aq me shumë të ndodhë në Shqipëri, që njëra nga këto shtylla të jetë më lart se të tjerat.

Përderisa kemi një qeveri të korruptuar dhe me ministra të Brendshëm të lidhur me krimin, përderisa kemi një Parlament injorantësh dhe të mbushur me kriminelë me nga 5 emra, përderisa kemi një media militante dhe lëpirëse të qeverisë, nuk ka asnjë mundësi që të kemi një drejtësi funksionale. Edhe Drejtësia është po kaq e keqe dhe merr të njëjtën notë pakaluese, sa edhe 3 shtyllat e tjera të demokracisë.

E dyta, Drejtësia nuk mund të vendoset brenda natës. Drejtësia është një proçes tepër i gjatë, i përditshëm dhe që nuk ka një destinacion fundor. Drejtësia nuk është nje monument që mund t’i presësh shiritin e inaugurimit. Bile ajo nuk është as gjithmonë në rritje, ajo bëhet me zig-zake të vazhdueshme. Drejtësia fillon e përparon në të njëjtën kohë me përparimin e 3 faktorëve të tjerë. Drejtësi të pranueshme do të kemi atëherë kur të kemi Qeveri, Parlament dhe Media të pranueshme.

Vendet e zhvilluar që kane të tre elementët e parë të mirë, mund të themi se kanë edhe një Drejtësi të mirë, ose në vend të fjalës të mirë, mund të përdorim termin “Drejtësi të pranueshme”.

E treta, Drejtësia është një koncept shumë më i gjerë, nga ai që propagandonte Don Lu, apo që propagandon sot Yuri Kim. Ata të dy e kufizojnë Drejtësinë vetëm tek kapja e “peshqve të mëdhenj”. Kjo sepse, duke folur për “peshqit e mëdhenj”, bën një efekt emocional shumë të fortë tek njerëzit e dëshperuar për Drejtësi. Edhe në Amerikë, kur vjen puna tek “peshqit e mëdhenj”, ka Drejtësi me dy standarde. Bile, Drejtësia kthehet në një armë për të goditur politikisht kundërshtarët.

Drejtësia është një koncept shumë më i gjerë dhe mungesa e saj prek direkt jetën e përditshme të qytetarëve. Ka mungese Drejtësie edhe kur dikujt i prishet shtëpia me forcë duke i shkatërruar jeten, kur dikujt Mafia i vret njeriun e afërt dhe vrasësi ikën në drejtim të panjohur, kur shumë qytetarëve bashkia/shteti iu pret ujin dhe dritat pa njoftim, kur bëhet zhurmë orar pa orar nga ndërtimet pa ligje dhe standarde etj., etj. Erion Veliajn do ta kishin hedhur në kazanin e plehrave, po të ishte në Perëndim, për shkak te padrejtësive të përditshme, që ai iu bën qytetarëve të tij.

E këterta, ambasadorët që vijnë në Shqipëri nuk janë Mesia. Ata janë po aq të korruptueshëm sa edhe ne. Sidomos, kur vijnë në vende si Shqipëria, atyre iu duket se kapën llotarinë disa milionëshe.

Konkluzioni: Drejtësinë nuk na e vendosin dot të huajt. Drejtësinë duhet ta vendosim vetëm ne. Drejtësia vendoset në një vend, vetëm atëherë kur qytetarët e tij revoltohen dhe reagojnë fort ndaj padrejtësisë. Drejtësia vendoset në një vend kur reagojne edhe ata që nuk preken në një moment të caktuar nga padrejtësia, pra kur reagon edhe ai të cilit nuk i prishet shtëpia sot.

Zjarr Tv Ad