Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Afrim Bakaj, deklaron se projekti për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës në portin më të madh të vendit do të realizohet brenda vitit 2019.
Me një fond prej 8,6 milionë euro (pa TVSH), financim i Autoritetit Portual, projekti deklarohet se do të zbatohet përgjatë Vitit të Ri, ndonëse ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri pati deklaruar se projekti do të niste brenda vitit 2018.
“Ky është investimi më i madh që ndërmerr APD me buxhetin e tij.
Thellësia e parashikuar në përfundim të projektit arrin në 10.5 metra, nga thellësia aktuale prej 7.5 metra.
Thellimi do të mundësojë që në port të hyjnë dhe të përpunohen anije që mbajnë deri në 1000 kontejnerë, ndërsa aktualisht ato sjellin 500-600 kontejnerë gjithsej.
Në kalata do të mund të ankorohen gjithashtu edhe anije me gjatësi deri në 174 metra”, deklaron Bakaj.
Kompania daneze “Rohde Nielsen” në vitin 2004 fitoi tenderin me fonde të Bankës Europiane të Investimeve për thellimin e basenit dhe kanalit portual të Durrësit, projekt që u ndërpre nga danezët për shkak të mosmarrëveshjeve me Ministrinë e Transporteve.
Konflikti që përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit pati kosto të larta për Shqipërinë, ndërsa mbajti pezull zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm për portin detar të Durrësit.
Realizimi i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës portual gjatë vitit 2019, së bashku dhe me investimin për rikonstruksionin e zgjerimin e kalatave të terminalit perëndimor, do të përmirësonte ndjeshëm kapacitetet përpunuese të portit më të madh të vendit, duke synuar kthimin e tij në një port konkurues edhe në rajon, krahas porteve të Igumenicës, Selanikut dhe Tivarit.