Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të QSUT-së se dy rusët dhe ukrainasi të arrestuar një ditë më parë ishin vënë nën vëzhgim prej disa ditësh.
Ai u shpreh se edhe në se janë apo jo blogerë kemi të bëjmë me një vepër penale nga ana e tyre pasi kanë sulmuar dy ushtarakët shqiptarë duke rrezikuar t’i shkaktojnë dëmtime.
“Ka pasur informacion edhe para se të ndodhte ngjarja. Kanë qenë në vëzhgim. Janë mbledhur të gjithë informacionet, edhe këto që thoni ju. Nuk mund të komentoj nëse janë blogere. Megjithatë blogerë apo jo blogerë ngjarja ka dhunë brenda. Bëhet fjalë për dhunim, futje në një institucion në mënyrë të paautorizuar. Ne e trajtuam me shumë seriozitet. Nuk kam informacion për pajisjen e përgjimit. Nuk është gjetur ndonjë aparat përgjimi në Sazan.
Duhet thënë që politika e ditës lokale e ka hapësirën e fantazisë shumë më të madhe. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë. Ngjarja është në hetim. Sot jemi pak orë pas ngjarjes. Pas pak orësh ose minutash do të keni informacion nga grupi i hetimit.
Janë pikasur lëvizjet e automjetit. Agjencia e mbrojtjes ka qenë e informuar që kur ka lindur dyshimi. Ne e kemi mbrojtur. Nuk është se nuk ka pasur reagim apo nuk është kapur personi që ka tentuar të hyjë pa leje. Personi që ka kapërcyer gardhin është ndaluar nga dy ushtarakët tanë. Sot ushtarakët tanë janë në gjendje shumë të mirë”, tha Peleshi.