Kreu i PD Lulzim Basha ka folur sot për projektin e Portit të Durrësit që është marrë përsipër nga arabët. Pas akuzave, kryesisht nga fraksioni tjetër që është sot në PD, se pas projektit të arabëve fshihet kunati i tij, Basha ka folur sot duke e konsideruar atë një aferë korruptive.
“Ne e konsiderojmë një aferë. Pse? Se jemi kundër investimit? Jo! Por ka një ndryshim. PD është pro zhvillimit, pro vendeve të punës. Por që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet me sheikë”, u shpreh ndër të tjera kryedemokrati, teksa mori pjesë në një takim me kandidatin për Bashkinë e Durrësit, Luan Hoti.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:
“Boll më me modelin e vjetër. Unë nuk po them qe ta nisim me vitin zero, pasi në këto 30 vite ka pasur zhvillime, por ka pasur dhe gabime. Ka ardhur koha që këto gabime t’i ndreqim, me një politikë me fytyrë njerëzore. Siç është Hoti. Politika ulet në gjunjë para popullit. Do bëjmë të mundur qeverisje me taksa të ulëta, por me miradministrim.
Dua ta nis me diçka që është bërë legjendë këto 3 muaj. Projekti i portit të Durrësit. Një nga arsyet kryesore se pse sharlatanët ecin në politikë, jo vetëm në Shqipëri, është se i bëjnë njerëzit që mos të logjikojnë, mos të arrijnë të mendojnë. I ushqejnë si fëmijët e çerdhes, që i fut lugën në gojë. Fëmija e hap gojën dhe nuk logjikojnë. Ajo pjesa që ne kemi pakt për portin e Durrësit, është gënjeshtër.
Ne e konsiderojmë një aferë. Pse? Se jemi kundër investimit? Jo! Por ka një ndryshim. PD është pro zhvillimit, pro vendeve të punës. Por që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet me sheikë.
Ashtu thanë se do bëhej dhe në qendër të Tiranës, Kulla Al habibi, pasi ishte gënjeshtër elektorale. Tani erdhi ky sheiku tjetër, po kjo nuk është tokë pa zot. Projekti duhet të jetë i qartë, i shpalosur, i diskutuar dhe jo thjesht i vendosur te Nusreti i Dubait apo te Zuma e Dubait. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të vendit, të Durrësit. Jemi kundër 3D-ve që na shiten si zhvillim dhe fshehin mungesën totale të transparencës. Jemi pro zhvillimit.”