Tenori shqiptar Ramë Lahaj përveçse njihet për talentin e tij shpesh herë diskutohet në media edhe për çështjet politike në të cilat ai nuk nguron të japë mendimin e tij.
Kujtojmë se në muajt korrik dhe gusht ai e ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama, mirëpo ditën e sotme Lahaj ka dalë publikisht në mbështetje të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Lahaj ka komentuar takimin e zhvilluar ditën e sotme mes kryeministrit Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurtit.
Sipas tenorit Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë krah njëra tjetrës, njëjtë si vëllai i madh i cili është aty gjithmonë për të voglin.
“Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin, për ma shumë që nxen edhe vendin e babës, atëherë kur ai nuk rron ma. Si asnjiherë ma parë, i lumtunum jam me qasjen e Kryeministrit Edi Rama, si me takimin e tij me OKB, e po ashtu edhe me vizitën e tij në Prishtinë.
Kështu të duam ne shqiptaret gjithandej globit. Si vllazen duam me ju pa gjithmonë krah për krah me njani tjetrin. Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët! Edi Rama Albin Kurti ”, shkruan Lahaj.