Edi Oga: A do të vazhdojnë të largohen vazhdimisht shqiptarët nga mëmëdheu? Për fatin tonë të keq, e ardhmja e këtij vendi varet nga vullneti i NJË njeriu të vetëm, i cili, duam s’duam ne, ka në dorë kaq shumë për fatet tona dhe të gjithë shqiptarisë! Zoti i ndriçoftë mendjen!

0
64
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Edi Oga

Duket sikur ky dhjetëvjeçar do të jetë dekada vendimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët! Pyetjet madhore që historia shtron përpara atdheut por edhe kombit tonë në këtë fillim mijëvjeçari, janë këto: A do të bëhet Shqipëria pjesë e familjes evropiane? A do të bëhet Shqipëria shtet sovran? A do të bëhet Shqipëria një demokraci funksionale? A do të vazhdojnë të largohen vazhdimisht shqiptarët nga mëmëdheu? A do të zëvendësohen shqiptarët e larguar me popullsi aziatike dhe afrikane? A do vazhdojë të quhet Shqipëri kjo tokë, paskëtaj?

Nëse Shqipëria zhduket, edhe sa kohë do të flitet shqip, përpara sesa edhe ajo, gjuha më e vjetër e Evropës, të zhduket përfundimisht? Ky që lexuat, duket si përshkallëzim letrar pesimist dhe gjysmëpatetik. Duket si pjesë e shkëputur nga ndonjë ese maturanti ambicioz por skolastik. Duket si retorikë e analistëve gjithologë, të cilët në ndryshim nga ne normalët, dinë edhe përgjigjen për secilën nga pyetjet. Me argumentet përkatës. Madje edhe me data dhe afate. Askush nuk mund t’i japë përgjigje sot këtyre pyetjeve madhore, por gjithkush duhet të jetë i ndërgjegjshëm që to janë aty! Janë çeshtje që janë shtruar për zgjidhje!

Në atë rradhë apo ndryshe, kjo ka pak rëndësi! Rrjedha e kohës do të japë një përgjigje për secilën nga këto çeshtje jetike për Shqipërinë dhe shqiptarinë. Sigurisht, çdo shqiptar që ndjehet i tillë, e do vendin e tij, e do prosperitetin dhe begatinë e tij, e do gjuhën e tij. Çdo individ i lindur në këtë vend do të kishte preferuar ta ndërtonte këtu jetën, në tokën që na lanë të parët, e si një detyrim hyjnor e tokësor i përjetshëm, t’ua linte stafetën e jetës brezave trashëgimtarë! A do të jetë e mundur kjo? A kemi gjë në dorë për veten tonë?

Ne jemi vend i vogël dhe gjithnjë të mëdhenjtë kanë vendosur për ne. Po ne vetë, a jemi të sigurt që po përpiqemi dhe po bëjmë më të mirën për sovranitetin, përkatësinë gjeo-politike, prosperitetin ekonomiko-kulturor të vendit tonë? Nëse flet një nga një me secilin prej nesh, të gjithë i kemi idetë e qarta për rëndësinë e çeshtjeve që janë shtruar për zgjidhje, por një nga një ne nuk kemi asgjë në dorë. Dëshirat, entusiazmi, euforia apo klithmat tona patriotike, nuk kanë asnjë peshë. Nuk dëgjohen nga askush. E vetmja mënyrë që zëri ynë individual të dëgjohet, është delegimi politik i fuqisë sonë personale. Medet, gjithnjë diskutime të tilla përfundojnë tek politika dhe qeverisja që ajo prodhon. Për fatin tonë të keq, e ardhmja e këtij vendi do të varet kryesisht nga ata që ne kemi zgjedhur të vendosin për ne. Madje varet nga vullneti i NJË njeriu të vetëm, i cili, duam s’duam ne, ka në dorë kaq shumë për fatet tona dhe të gjithë shqiptarisë!

Zoti i ndriçoftë mendjen!

Zjarr Tv Ad