Regjisori Edmond Budina thotë se largimi i mafias nga pushteti, është më urgjente se dekomunistizimi.
Në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Budina u shpreh se nisma për dekomunistizimin është propagandë për të përfituar nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë.
“Kush është më imediat sot, demafiostizimi i vendit apo dekomunistizimi. Unë kam përshtypjen se më i rrezikshëm sot, është mafia që kemi në pushtet dhe kudo në psikologjinë e shqiptarëve është futur mafia. Kjo është shumë herë më imediate se historia e 30 viteve të shkuara. Unë jam plotësisht dakord që ajo duhet bërë. E gjitha kjo më duket një lloj prapagande për të përfituar nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë”, theksoi ai.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një projektligj në kuadër të nismës për dekomunistizimin.
Qëllimi i projektligjit, është që filmat, dokumentarët, këngët, programet televizive apo edhe momentet e ndryshme që kujtojnë e glorifikojnë sistemin komunist të ndalohen në vend.