Kuvendimi mbarëpopullor i 2 Marsit 2020 ishte një ditë historike vendimtare, kur shqiptarët me në krye Presidentin e tyre Meta i vunë gjoksin sovranitetit dhe mbrojtjes së Kushtetutës duke mbrojtur vendin nga shpërbërja shtetërore dhe rrëmbimi mafioz i Shqipërisë.
Shkaku themelor i shtetit ligjor të rrënuar dhe tranzicionit asfiksues pa mbarim të Shqipërisë është destruktimi dhe copëtimi i sovranitetit. Shkaku që shqiptarët kanë 30 vjet në pluralizëm dhe vetëm largohen nga vendi, është dëmtimi i kolonave të sovranitetit.
Shkaku sepse lloj-lloj antipatriotësh, anti-shqiptarësh, arrivistësh dhe pazarxhinjsh qeverisin sot Shqipërinë është kafshimi i sovranitetit. Shkaku se pse edhe kufijtë e Shqipërisë janë sot të rrezikuar, është pazari me sovranitetin.
Shkaku se pse të huaj të çdo lloji bëjnë ligjin dhe kërkojnë të imponohen në Shqipëri është sovraniteti i shitur. Ndaj kuvendimi mbarëpopullor i 2 marsit i vitit 2020 ishte një ditë historike vendimtare, kur shqiptarët me në krye Presidentin e tyre Meta i vunë gjoksin sovranitetit dhe mbrojtjes së Kushtetutës duke mbrojtur vendin nga shpërbërja shtetërore dhe rrëmbimi mafioz i Shqipërisë.
Shqipëria pa sovranitet është një vend i zhbërë, i poshtëruar dhe plaçke tregu në duar të çdo lloj horri politik dhe të mafies që i rri pas atij. Ndaj sovraniteti është dhe mbetet themeli i ekzistencës, i përparimit dhe integritetit tonë shtetëror dhe kombëtar.
Mbi sovranitetin duhet vigjëluar çdo ditë çdo orë dhe çdo minutë si garancia e përjetshme e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj dita e 2 marsit pa asnjë hezitim mund dhe duhet të quhet Dita Kombëtare e Sovranitetit.
Kjo ditë është dita e vigjilencës dhe apelit kombëtar për çdo shqiptar kudo që ai ndodhet në emër të Shqipërisë sovrane ku çdo shqiptar është pjesë dhe mbrojtëse e saj. Dita Kombëtare e Sovranitetit, 2 marsi, është apeli i krenarisë dhe përgjegjësisë së çdo shqiptari për atdheun tonë të përbashkët martir dhe shumë të çmuar. Respekt përjetë 2 marsit, demonstrimit më madhështor të shqiptarëve të bashkuar rreth kauzës më të madhe, asaj të atdheut sovran, krenar dhe një e të pandarë.




