Një shqiptar, është arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi u përpoq që të shmangte kontrollin e policisë në autostradë. Mediat vendase, shkruajnë se Andi Deliu, 25 vjeç, ishte duke udhëtuar me makinën e tij, por kur ka parë policinë, është hedhur prej saj dhe ka tentuar të largohej.
Ai u fsheh në një pyll, por aventura i zgjati vetëm 30 minuta, pasi u kap nga policia. Deliu doli para gjykatës dhe tha se ishte paguar 750 paund, për të transportuar një ngarkesë droge.
Gjykatësi, duke dëgjuar të gjithë historinë e tij, vendosi që ta dënonte me dy vite burgim, për transportimin e drogës, por dhe për mos bindjen ndaj policëve.
Nga ana tjetër, i riu shqiptar u gjobit me 500 paund, pasi kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme dhe pritet të deportohet, pas kryerjes së dënimit të tij.



