Në ditën e bashkimit të Gjermanisë/ Ilir Meta letër presidentit Steinmeier: Mirënjohje të përzemërta për kontributin tuaj në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE

0
9

Presidenti Ilir Meta, i dërgon letër urimi homologut gjerman Frank-Walter Steinmeier, në ditën e bashkimit të Gjermanisë.

Meta falenderon presidentin Steinmeier, për mbështetjen dhe kontributin e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE. “Ju siguroj në vullnetin tim të palëkundur, për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit, të vijojnë pandalur me reformat dhe plotësimin e kushteve, që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, shkruan Meta.

LETRA E PLOTË:

I nderuar zoti President, Frank-Walter Steinmeier,

Më lejoni që me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik gjerman.

Në këtë jubile të rëndësishëm, të 30 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer, që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe ndjenjat e thella të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë, për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian, drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik, të këtij viti të Këshillit Europian, për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e Gjermanisë mike, është mirëpritur nga mbarë populli shqiptar.

Ju siguroj në vullnetin tim të palëkundur, për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pandalur, me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit, të integrimit europian të Shqipërisë.

Bashkë me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Zjarr Tv Ad