Kastriot Islami
Shqipëria mund të dalë në ankand, pra të shitet; kjo nuk është propagandë apo mashtrim. Shqipëria, si asnjë vend tjetër, është e mbytur deri në fyt në borxhe, për shkak të babëzisë, paaftësisë, si dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë Rama… Rama do të grabisë një mandat të tretë, për të vazhduar të fshehë këtë katastrofë që po vjen me shpejtësi, me shpresën idiote se mund t’ia shesë borxhin dikujt, që do të thotë ndryshe t’ia shesë vendin dikujt, duke i detyruar ndërkohë shqiptarët reagues të emigrojnë… Sepse vetëm kështu me mashtrimin e “shitjes së borxhit”, mund të fitojë kohë për të qëndruar në pushtet dhe për të mbrojtur pasuritë e tij e paligjshme, por edhe nga frika e ndëshkimit…
Borxhi në fillim të vitit 2021, po të kemi parasysh dhe uljen e rritjes ekonomike, mund të shkojë mbi 100 %; madje mendohet së bashku me borxhet e fshehura të PPP-ve, si dhe atyre të bashkive të arrijë mbi 115 %. Vendi është realisht në rrezik falimentimi. Në këto kushte Rama kërkon të grabisë edhe një mandat të tretë, jo vetëm duke blerë vota e kërcënuarit votuesit, por edhe duke dh*unuar kushtetutën, sistemin zgjedhor, duke shpërfillur partnerët ndërkombëtarë, madje duke u mbyllur shqiptarëve rrugën e integrimit në BE… Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë!
Përse FMN e të tjerë s’kanë dhënë ende alarmin? Deri tani FMN e të gjithë institucionet e tjera globale, janë treguar të kujdesshme dhe shumë “dashamirëse” me Shqipërinë, për të mos thënë haptas të vërtetën e hidhur në raportet e tyre, duke i publikuar ato me një gjuhë të drunjtë e deri me fjalë të “sheqerosura”… Mesa duket, kjo është bërë për të mos u treguar shqiptarëve humnerën, thjesht për të mos i demoralizuar e bërë më pesimistë se ç’janë… sepse mund të keqreagonin… Por mesa duket, po vjen momenti që kjo e vërtetë shumë e hidhur, s’do të mund më të “sheqeroset” dhe për rrjedhojë do të preket nga të gjithë pa përjashtim…
Çfarë do të thotë që borxhi është 115 % e PBB? Kjo do të thotë që; Shqipëria edhe nëse arrin të prodhojë vlera kombëtare në masën 100 lekë, ajo ka borxh 115 lekë… Pra jo vetëm s’i mbetet asgjë nga ajo që prodhon për të konsumuar, por ajo vlerë që prodhon s’i mjafton më as për të larë borxhin. Pra që nga ky moment, vendi nuk mundet më as të blejë borxh, e as që të paguajë borxhin… Gjendja është katastrofike.
Po përse në këto rrethana, Rama kërkon një mandat të tretë? Kjo duket si paradoksale për një njeri normal, racional e të ndershëm… Por Rama ka vetëm një rrugë për të shpëtuar pasuritë e grabitura, pra për t’i shpëtuar ndëshkimit… Rama e ka të qartë se; duke kaluar në opozitë, kjo situatë katastrofike do të bëhet transparente dhe qytetarët, do të prekin nga afër të vërtetën e hidhur… Ai jo vetëm nuk e duron një gjë të tillë, por mbi të gjitha ka shumë frikë nga reagimi i qytetarëve të revoltuar, ndaj kësaj të vërtete të hidhur… dhe synon të vazhdojë t’i mashtrojë, duke menduar se mund të dalë më vonë nga kjo gjendje, ndonëse e ka të qartë se kostoja në këtë rast, do të ishte shumë e lartë për vendin dhe shqiptarët, kosto për të cilën, Rama nuk e vret mendjen fare…
Cila mund të ishte kjo kosto për vendin e shqiptarët? Në këto rrethana, Rama mendon të “menaxhojë” borxhin e pamenaxhueshëm, duke ia shitur borxhin katastrofik një vendi apo kompanie. Sepse vetë s’e menaxhon dot më… Kjo do të thotë se Shqipëria, nuk do të ishte më e shqiptarëve… Me fjalë të tjera, do të thotë që Rama për të shpëtuar lëkurën e tij, është gati t’ia shesë vendin dikujt, pa e vrarë mendjen se çdo të ndodhte në këtë rast me shqiptarët e revoltuar, të cilët ai ndjehet “i lumtur” nëse do të emigronin masivisht…
A është kjo fantazi? Është shqetësuese sepse disa qytetarë, i konsiderojnë të vërtetat fantazi dhe mashtrimet të vërteta…Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se Rama grabitqari, ka vetëm një mundësi: Për të shpëtuar lëkurën e tij do t’ia shiste Shqipërinë dikujt. Kjo do të mund të bëhej realitet, nëse Rama do të grabiste mandatin e tretë dhe shqiptarët në vend që të reagonin masivisht e fuqimisht, do të preferonin të largoheshin masivisht…
Të gjithë ata që s’largohen dot nga vendi, të shqetësuar në ekstrem, pyesin se; “cila do të ishte zgjidhja”? Përgjigja është: Fillimisht, është i domosdoshëm reagimi i fuqishëm e masiv i qytetarëve, për të larguar sektin e babëzitur e grabitqar. Ky do të ishte fillimi i ndalimit të katastrofës… sepse duke larguar të keqen, mund të ndërpritet katastrofa. Përndryshe, skenari do të ishte makabër! Fatkeqësisht, kjo është e vërteta e hidhur. Çdo ditë që kalon pa reagim masiv, veçse rrit shpejtësinë e rrëshqitjes drejt greminës e katastrofës!



