Socialistët, janë shumë optimistë se do të marrin një mandat të tretë qeverisës, ku se sipas tyre, të dielën e 25 prillit, do të jetë Partia Socialiste, ajo që do të marrë shumicën e votave të qytetarëve shqiptarë. Një pohim të kësaj natyre, e ka bërë deputeti dhe njëherësh drejtuesi politik i PS-së në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.
Gjiknuri, ishte i ftuar në një studio televizive, ku ka theksuar se; minimalisht në të gjithë vendin, sipas llogarive të tij, Partia Socialiste, nuk bie nën 72 mandate, ku e arritshme është edhe shifra 74-75 mandate deputetësh. Deputeti Gjiknuri, shprehu bindjen se; arritja e këtij objektivi është plotësisht e realizueshme, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim, të paktën në qarkun që ai mbulon po shkrihet dhe se anëtarët e kësaj partie, po shkojnë drejt Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
“Nga pikëpamje e objektivave elektorale tashmë PS është e qartë. Në Vlorë synojmë të marrim 9 mandate, 8 që kemi pasur as nuk diskutohet. Ne kemi bërë një punë shumë të mirë në atë qark. Kjo është shumë e mundshme pasi shikojmë që kundërshtarët përveç organizimit me probleme nuk kanë më ç’të ofrojnë në Vlorë apo qarqe të tjera. Nga ana tjetër kemi një shthurje të LSI-së, e cila në përgjithësi ka funksionuar si parti klienteliste. Është një parti e cila përgjithësisht mbijeton kur ka pushtet, e ka shumë të vështirë ndryshe duke qenë se ka një mungesë ideologjia. Do të ketë një rënie të LSI. Në Vlorë do të jetë në një pozitë shumë të vështirë apo një pjesë e funksionarëve të tyre po shkon në PS, por ka edhe nga ata që shkojnë të PD. Pra strategjia e PS është që të shkojë në 25 prill me një rezultat të sigurt fitues që për mendimin tim do të shkojë nga 73 deri në 75 mandate. Sipas llogarive të mia elektorale PS nuk zbret asnjëherë nën 72 mandate dhe një rastin optimal do të jetë 74-75 mandate, pra një përsëritje e rezultatit të 2017”, – është shprehur Gjiknuri.
Ndë të tjera, Damian Gjiknuri, ka folur edhe për votën e emigrantëve, ku theksoi se; palët politike duhet të kenë një dakordësi ndërmjet tyre, pasi nuk duan që kjo të kthehet më “mollë sherri”, për të mos njohur zgjedhjet.




