Pandemia ka krijuar vështirësi në tregun e punës, kryesisht grupet më të prekshme, gratë dhe të rinjtë.
Të dhënat e INSTAT, tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2020 humbën punën mbi 12 mijë e 600 persona, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019-të.
Në fund të vitit 2020, INSTAT raportoi se ishin të punësuar 264 mijë e 300 të rinj, ndërsa në fund të vitit 2019-të, ishin të punësuar 276 mijë e 984 persona.
Shumë të rinj që kanë humbur punën, janë drejtuar për ndihmë në zyrat e punës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2020, ishin të regjistruar të papunë rishtas në zyrat shtetërore të punës, rreth 5000 të rinj të moshës 15-29 vjeç.
Të dhëna të tjera sektoriale, sugjerojnë se të rinjtë që kanë humbur punën ishin të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe bizneseve të lidhura me turizmin, si hotelet, baret dhe restorantet. Indeksi i punësimit në këto aktivitete, shënoi rënie nga 35-50 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020.
Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës, treguan se gjatë tremujorit të fundit të vitit, humbën punën mbi 37 mijë persona, prej të cilëve 33 % ishin të rinj.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, kur ndikimi i pandemisë në tregun e punës ishte më i mprehte dolën të papunë rreth 47 mijë persona, mirëpo me ardhjen e sezonit turistik punësimi nisi rigjallërimin, madje treguesit e punësimit shënuar përmirësim te të rinjtë sidomos. Me përfundimin e sezonit turistik dhe rikthimin e valës pandemike, mijëra të rinj e humbën sërish punën.
Rritja e papunësie në moshën 15-29 vjeç, ndikon për keq trendët e emigracionit në vend që ishin të larta edhe para krizës pandemike.
Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar s’e 70% e 20 -vjeçarëve, dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018-të.
Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë, se te grup-moshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh socialë dhe ekonomikë, thotë Gëdeshi. Instituti Shqiptar i Statistikave, ka raportuar se vitin e kaluar, 25.5% e të rinjve nga mosha 15-24 vjeç, nuk ishin as në shkollë dhe as në punë.
Studimi mbi të Rinjtë 2018-2019 i institutit Gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) tregon se potenciali për të emigruar në grup-moshën 15-29 vjeç, është rreth 60%.
Dëshira e të rinjve për të ikur jashtë vendit, është më e lartë se në popullsinë e përgjithshme, ku sipas barometrit të Ballkanit, gjysma e të pyeturve në Shqipëri, pa dallim moshe, raportojnë s’e do të dëshironin të jetonin larg vendit vitin e kaluar.




