Tirana është shumë pas sa i takon numërimit të votave të kandidatëve, ku janë numëruar vetëm 26 kuti nga 1243 në total. Në disa prej KZAZve, puna për numërimin ka rinisur në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që në mesin e 26 kutive të numëruara, emrat e preferuar rezervojnë shumë surpriza.
Më e madhja duket se është në listën e më të votuarve të PD-së, të cilën e udhëheq kreu i FRPD-së Belind Këlliçi me 883 vota, i ndjekur nga Lulzim Basha 279 vota, më pas vjen Agron Shehaj me 193 vota, Orjela Nebiaj 155, Fatmir Mediu 135, Sali Berisha ka vetëm 98 vota nga kutitë e numëruara.
Nebiaj është në vendin e 18 në listën për Tiranën dhe duket të jetë kandidatja e vetme nga demokratët, që mund të thyejë herësin dhe të bëhet pjesë e Kuvendit për katër vitet e ardhshme.
Ndërsa në Partinë Socialiste, kryeson bindshëm Belinda Balluku, e cila ka 2140 vota, e ndjekur nga Fatmir Xhafaj me 622. Ndërkohë që Majko i cili deri tani nuk ka mandat për deputet, sepse ka vetëm 75 vota dhe duket që shanset që ai të mund të thyejë herësin dhe të lëvizë listën e vendosur nga Rama, janë të pakta.
Në LSI, kryeson Floida Kërpaçi e LRI me 140 vota, e ndjekur nga Kreyemadhi me 51 vota.




