Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dalë kundër shteteve që kanë nisur imunizimin e fëmijëve nga mosha 12 deri në 15 vjeç.
Katherinë O’Brien, shefja e programit të vaksinave në OBSH, u shpreh se fëmijët janë pak të rrezikuar, ndaj dozat e vaksinave duhen shpërndarë në vendet e varfra që ende nuk kanë marrë asnjë dozë.
“Fëmijët kanë një rrezik shumë të ulët infektimi nga sëmundja që shkakton virusi COVID-19. Arsyetimi për imunizimin e tyre, fokusohet tek ndalimi i transmetimit, por në një kohë kur kemi mungesa furnizmi me vaksina në të gjithë botën, vaksinimi i fëmijëve nuk është një përparësi e lartë. Po ashtu nuk është e nevojshme të vaksinohen fëmijët para se të dërgohen përsëri në shkollë, për sa kohë që të rriturit në kontakt me ta janë imunizuar”, u shpreh ajo.
OBSH ka bërë thirrje të shumta në drejtim të vendeve të pasura, në mënyrë që vaksinat të shpërndahen edhe në shtetet që nuk kanë mundësi t’i blejnë.




