Mediat italiane raportojnë se në Shqipëri është ekzekutuar vrasësi shqiptar i “ultras”-it të ekipit të Lazio-s që ishte përfshirë në trafik droge.
Siaps asaj që shkruan L’Espresso, vrasësi i Fabrizio Piscitellit është një shqiptar, i cili është kapur në Shqipëri nga persona të paidentifikuar të cilët e kanë torturuar dhe më pas e kanë vrarë.
Gazeta nuk bën me dije detaje se kur ka ndodhur ngjarja apo rrethanat e saj.
I njohur me pseudonimin “Diabolik”, Piscitelli u vra dy vite më parë në Romë. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Sipas artikullit, vrasësi shqiptar i Piscitellit është i njëjti që ekzekutoi me plumb në kokë në një plazh të Romës edhe Selavdi Shehajn, me pseudonimin “Tarzani”, një trafikant shqiptar i drogës.
Prokuroria italiane po e heton ngjarjen si vrasje mafioze. Hetuesit shprehen se vrasësi ka qenë profesionist dhe i pamëshirshëm.




