Në situatën katastrofike të zjarreve që ka përfshirë shumë vende të rajonit ditët e fundit, nëse ndjek me vëmendje lajmet, vë re se krerët kryesorë të vendeve si Italia, Turqia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kanë qenë të angazhuar 24 orë në shërbim të emergjencës.
Mitsotakis u shfaq në mes të banorëve në periferi të Athinës, gati i përlotur. Madje kërkoi edhe falje për mos fuqinë e plotë të shtetit që drejton në raste si këto, edhe pse emergjencat e tij kanë një flotë të madhe mjetesh tokësore e nga ajri për shuarjen e zjarreve.
Erdogan shkoi natën dhe takoi njerëzit dhe forcat që shuanin zjarret. Shpërndau çaj dhe premtoi kompensim të plotë për dëmet. Po kështu edhe Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut bëri të njëjtën gjë, duke shkuar disa herë pranë atyre që luftojnë me zjarret.
Vetëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka kohë që të shkojë njëherë të vetme në zonat që po shkrumbohen, edhe pse prej kohësh gjendet pranë vatrave të mëdha në Vlorë.
Dhe bëhet fjalë për kryeministrin e një vendi që ka 8 vite në pushtet, që ka kaluar situate të rënda katastrofash si tërmete, përmbytje e zjarre vit pas viti. Por sërish Emergjencat Civile, vazhdon që ti lërë “në pikë të hallit”.
Madje, herë pas here, sa herë që i duhet që të bëjë rregullime në buxhet për të shtuar para për koncesionarët, ndërhyn pikërisht në financat e Emergjencave duke ju hequr miliona.
Dhe përfundimi është ky: Vetëm një helikopter për të shuar zjarret dhe natyrisht edhe lopata, kazma e motosharra siç ju bënte thirrje Haki Çako vartësve të tij që ti rrëmbenin!
Është izoluar në plazhin “privat” të vilës në Himarë, i rrethuar nga roje të shumta të Gardës dhe që andej bën “politikë të madhe” duke sulmuar në mënyrën më të ligë, gjithë udhëheqësit e Kosovës dhe shumicën e popullit shqiptarë i cili e kritikon për “vëllazërim-bashkimin” me presidentin serb Vuçiç.
Ose më thjeshtë për aleancën okulte, me ish- ministrin e Hitlerit të Ballkanit, mostrës anti-shqiptare Milosheviç.
Nuk ka kohë që të falenderojë qeverinë e Kosovës për gatishmërinë që tregoi duke sjellë forcat e saj të zjarrfikësve dhe ushtrisë brenda pak orësh në Kalimash, por gjeti kohë që të ulet dhe të shkruajë një tekst plot mashtrime dhe vrer kundër tyre.
Arrin deri aty, sa edhe mashtron publikisht. Shkroi se ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paska thënë në sy të Merkel dhe të Macron se, “nuk më ha Luli për këta”. Por shumë shpejt doli nga dëshmitari okular i bisedës në Berlin, ish-ministri Selim Selimi, se e vërteta është që Haradinajt nuk i hante “organi” për vetë Ramën i cili këmbëngulte që ai të hidhte vallen e Vuçiç e të tijën.
Ky është kryeministri i Shqipërisë sot; Ulet e shkruan një apologji për veten dhe mikun e tij Vuçiç dhe nga ana tjetër merr në telefon kryetarin e bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, dhe e bën për “një lek” se përse kërkoi ndihmë nga Kosova për zjarret.
Mburret se 8 vite më parë lëshoi një deklaratë për njohjen e Kosovës në Beograd përpara kamerave por nuk shpjegon se përse që atëherë, edhe pse e ka takuar dhjetëra herë presidentin e Serbisë, nuk e zë më në gojë “njohjen” në sy të tij.
Kërkon “Ballkan të Hapur”, por njëkohësish i quan vjeturina të së kaluarës, krimet e Serbisë në Kosovë. Sulmon Kosovën për qëndrimin reciprocist ndaj Serbisë por nuk thotë asnjë fjalë për fushatat, lobimet dhe milionat e eurove që paguan ky shtet kundër pavarësisë së saj, apo për ta sabotuar në çdo aspekt brenda dhe në arenën ndërkombëtare.
Bën sikur po “lufton” që të shuajë zjarrin në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbinë i cili ka si vatër gjak, përdhunime dhe një genocide masiv ndaj shqiptarëve, por në fakt nuk shuan dot as zjarret disa kilometra pranë vilës në Dhërmi ku pret lobistët e ndarjes së Kosovës apo “Ballkanit të Hapur”.
Ka lëshuar gazetarët dhe mediat e oborrit të tij të denigrojnë kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij; stimulon serbofilinë deri në thirrje për blerje pronash në Jug të vendit; proklamon kozmopolizmin sikur të vrarët në Kosovë nga ata që sot janë ende në pushtet në Serbi të kenë qenë thjesht një lloj specie e jo shqiptarë si ne, etj, etj.
Nga buron e gjithë kjo ligësi e tij për Kosovën dhe gjithë kjo dashuri pa kushte për Vuçiç?!
Është budalla, me shpirt të shitur apo peng?!/SYRI.NET


