Kuvendi i ri i zgjedhur nga votimet e 25 prillit do të sjellë risi të reja në përbërjen e tij. Partia Demokratike e cila ka fituar 59 mandate në zgjedhje në fakt do të ketë vetëm 50 deputetë në parlamentin e ri pasi 9 prej atyre që fituan kanë dhënë dorëheqjen. Ndërkohë Partia Republikane, PDIU dhe parti të tjera aleate me PD-në, ka fituar mandate për shkak të këtyre zëvendësimeve.
Instituti i Studimeve Politike bën një grafik se si do të duket Kuvendi i ri
“Më 25 prill u votua për parlamentin dhe zyrtarisht fituan mandate 4 subjekte politike: PS, PD-AN, LSI dhe PSD. Në korrik KQZ publikoi rezultatet finale të zgjedhjeve dhe dhënien e mandateve të deputetëve bazuar në deklarimet e tyre. Nga lista finale rezulton se 9 mandate të PD shpërndahen për parti të vogla politike aleate të saj, 3 PR, 2 PDIU, 1 LZHK, 1 PAA, 1 PLL dhe 1 PBDNJ.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ: Agron Duka (PAA) ishte në listën shumëemërore të PD Durrës; Fatmir Mediu (PR), ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Lindita Metaliaj (PR) ishte në listën shumëemërore të PD Lezhë; Eralda Tase (PR) ishte në listën shumëemërore të PD Fier; Shpëtim Idrizi (PDIU) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Nusret Avdulla (PDIU) ishte në listën shumëemërore të PD Fier; Vangjel Dule (PBDNJ) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Andia Ulliri (PLL) ishte në listën shumëemërore të PD Durrës; Dashamir Shehi (LZHK) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë. Për rrjedhojë, parlamenti i ri do të ketë 140 deputetë, nga të cilët 74 PS, 50 PD, 4 LSI, 3 PSD, 3 PR, 2 PDIU, 1 PLL, 1 LZHK, 1 PBDNJ, 1 PAA.
Për të pasur mazhorancë qeverisëse duhen 70+1 deputetë, pra PS e vetme ka numrin e nevojshëm të mandateve për të qeverisur e vetme. Nga pjesa tjetër e përfaqësimit parlamentar, 3 votat e PSD janë vota mbështetëse për PS edhe për shkak se 3 kandidatët fitues janë zyrtarë dhe aktivistë lokalë të PS Shkodër. Në këtë mënyrë, PS pritet të ketë 77 vota të përhershme në parlament. Pjesa tjetër e partive mbeten (aktualisht) në opozitë.”- shkruan ISP.




