Demokrati nga Lezha Arben Ndoi i ka derguar një mesazh deputetit Agron Gjekmarkaj pas fjalimit të tij në kongresin e organizuar nga ish kryetari Basha. “Jam i mrekulluar” nga fjalimi juaj i shkruan me ironi anëtari i PD në lezhë Gjekmarkajt duke i kujtuar se ka marrë mandatin e deputetit nga demokratët e këtij qarku dhe ku asnjë prej tyre nuk ishte ne atë sallë ku ai po fliste.
“Mandatin e deputetit përdoreni si të doni, por fjalimet mos i mbaj në emrin tonë!”, shkruan Ndoi duke i thenë Gjekmarkajt se, “nuk na përfaqësoni më!”
Ja postimi i plotë:
Jam i mrekulluar nga nga fjalimi i deputetit të zonës tonë Agron Gjekmarkaj dje në Pallatin e Kongreseve. Po e ilustroj me këtë status: Të gjithë personat në foto ishim pjesë e shtabit tuaj Agron. Punuam ditë e natë, pa pagesë por me besim.
Edhe pse nuk kishit asnjë lidhje me zonën tonë, ju pranuam me bindje se ju kandidoi PD. (Në fakt ju kandidoi Basha). Ju mbështetëm e ju votuam. Në njësinë tonë – Dajç moret vota më tepër se të gjithë kandidatët e tjerë të PD së bashku. Dhe të gjithë këto në foto, me përjashtimin tuaj, votuam dje në REFERENDUM për SHKARKIMIN e Bashës nga kryetari i PD.
Po jua deklaroj unë sot si njeri prej tyre: Mandatin e deputetit përdoreni si të doni! Por fjalimet mos i mbaj në emrin tonë! Nuk na përfaqësoni më! I lutem miqve të mi të mos bëjnë asnjë koment ofendues, pasi është e pa pranueshme dhe do i fshij!




