Ish-ministri i Ramës thirrje drejtësisë/ Mos u bëni pjesë e pisllëqeve antidemokratike

0
62

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Rama 1”, Ylli Manjani ka reaguar pas procedimit penal, ndaj dy personave që një ditë më parë dogjën flamurin serb në Tiranë, si protestë kundër “Open Balkan” dhe vizitës së Vuçiç. Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se kjo përbën papjekuri, por procedimi penal është i tepërt.

Ai thekson se flamujt që vendosen në rrugë digjen gjithandej në botë dhe askujt nuk i shkon mendja të procedojë penalisht njerëzit.

“Nuk e di, realisht, ku dhe si u dogj ai flamur i Serbisë në protestën e djeshme. Nëse është bërë, padyshim tregon papjekuri dhe kaq. Por që kjo të meritojë arrestime dhe ndjekje penale është jo thjesht joproporcionale, por sjellje fatale antidemokraci!

Nuk u dogj flamuri zyrtar i Serbisë, dmth një flamur i vendosur në ndonjë institucion diplomatik. Flamujt që vendosen në rrugë digjen gjithandej në botë dhe askujt nuk i shkon mendja të procedojë penalisht njerëzit. As në Serbi nuk ndodh kjo gjë!

Ose të paktën ne skemi dëgjuar të jetë proceduar ndonjë serb pse ka djegur flamurin e Shqipërisë apo të Kosovës!? Dhe ka patur serbë që sja kanë përtuar këtyre gjerave…”-shkruan Manjani. Sipas Manjanit, aktin e djegies simbolike të flamujve në shumë raste jurisprudencat në vendet demokratike e konsiderojnë si thelbin e lirisë së shrehjes.

Më tej, ai ka edhe një thirrje për prokurorët dhe gjykatësit, të cilëve iu kërkon të mos bëhen pjesë e këtyre “pisllëqeve antidemokratike”, sikurse i cilëson ai. “E kuptoj zellin e policisë politike për të bërë lajme para flamurdjegurve, por gjykoj se Prokurorët dhe gjykatësit nuk kanë përse të jenë pjesë e këtyre pisllëqeve antidemokratike. Është e tepërt të kriminalizosh njerëz përse shprehin një mendim apo qoftë edhe një duf. Kapni ndonjë kriminel që lirinë e nxjerrjes së dufit e shpreh me fishekë apo me drogë, o policë të shtetit!

Lërini njerëzit të shprehin dufin politik, se nuk e ndalni dot edhe po të doni. Ndërkohë ky është edhe një shembull tjetër që tregon se çfarë Kodi Penal bolshevik kemi në fuqi. Kodi që kriminalizon njerëzit pse shprehen pa i bërë dëm askujt, në një protestë.”-përfundon ish-ministri.

Zjarr Tv Ad