Akademiku Artan Fuga, foli këtë të enjte në rubrikën “Opinion” në “News24” për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi Kuvendin për shkarkimin e presidentit të Republikës Ilir Meta.
Akademiku Fuga u shpreh mungesa e kulturës juridike në vend është e frikshme, ndërsa shtoi se shoqëria jonë është një shoqëri piramidale dhe se grupi parlamentar funksionon si tërësi deputetësh, ku ai që guxon të thotë diçka përjashtohet nga grupi.
Më tej Fuga theksoi se tashmë u vërtetua se ne kemi grupe parlamentare të ndërtuara në mënyrë staliniste.
“Është e frikshme mungesa e kulturës juridike dhe filozofisë së ligjit dhe kushtetutës. Gjykatësit kanë qenë të qartë, për të gjitha gjërat, sikurse janë shprehur për të gjitha akuzat. Pyetja që unë bëj është po Kuvendi i Shqipërisë kaq i dobët është në kulturën e vet juridike? Si është e mundur që në media nuk u bë një diskutim, kemi me dhjetëra profesorë, dhe si është e mundur që nuk diskutohet ç’kuptojmë me identitet të presidentit. Si është e mundur që këto koncepte juridike nuk i diskutojnë as organizata që merren me ligjin as fakultetet, as gazetarë që mbulojnë ligjin dhe drejtësi, ky është shqetësimi im.
Shqetësimi im nuk është për fatin e Ilir Metës.
Pra cili është niveli kulturor shkencor i vendit tim, i intelektualëve, akademikëve.? U vërtetua që edhe për të mijtën herë se ne kemi grupe parlamentare të ndërtuara në mënyrë staliniste. Vendos lideri, apo kryetari i partisë që është kështu dhe të gjithë thonë po është ashtu. Kjo është e frikshme sepse mungon dialogu, debati , fjala e lirë. Unë jam përpjekur ta shpjegoj sepse jemi një shoqëri piramidale dhe grupi parlamentar nuk funksionon si tërësi deputetësh. Ai që guxon të thotë diçka përjashtohet nga grupi. Gazetari dhe analisti i specializuar për çështje juridike mungon. Kjo nuk mund të jetë kështu. As në SHBA, as në Francë as në Itali nuk ndodh kështu”, tha Fuga.
Gjatë bisedës në studio theksoi se nëse nuk bëhet reforma për Kuvendin, universitetet, mediat, apo reforma për partitë politike, do të kemi të njëjtën situatë në vend.
“Ky është një moment reflektimi.Askush nuk reflekton për një vendim i 6 juristëve . Ne në kulturën juridike jemi akoma 40 vjet pas. Çfarë përfaqëson presidenti? Presidenti nuk është njeriu, oratori që del në miting. Unë jam i frikur, është një moment reflektimi.
Rasti për shkarkimin e presidentit është i veçantë. Nëse Kuvendi nxjerr një ligj që nuk respekton Kushtetutën dhe Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë, por ai ligj është votuar , ligji është interpretim dhe kur gjykata thotë se ky ligj nuk kalon, kjo është normale brenda sistemit sepse bëhet fjalë për një ligj, për gjëra shumë anësore. Por, ndërkohë në këtë rast nuk është e njëjta gjë, kemi mobilizimin e Kuvendit, kemi edhe vota të asaj që konsiderohej se ishte opozitë dhe të gjitha këto, mbi një moment ku askush nuk kishte guximin për të thënë shihini këto çështje, në rastin e presidentit në kemi atë që lidhet me marrëdhënie midis dy –tre pushteteve kryesore, ka të bëjë me sistemin e qeverisjes.
Mezi po pres të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për mua , për mediat, për akademikët fillon një kapitull shumë i rëndësishëm sepse Gjykatës Kushtetuese atë vendim që ka marrë duhet ta legjitimojë, ta shpjegojë dhe këtu do të kemi disa nocione dhe do të shohim se si do t’i legjitimojë. Mund të marrësh vendime të mira me argumente të këqija”, tha ndër të tjera Fuga.




