Avokati Spartak Ngjela është shprehur se ndonëse ish-kryeministri Sali Berisha, mban stemën e Ukrainës në xhep, ai shpreson që paratë e korrupsionit t’ja shpëtojë Vladimir Putini.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ngjela, shkruan se korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë është me Putinin.
Sipas tij, të korruptuarit e Shqipërisë janë në ankth, pasi po shohin dekadencën e forcës tiranike Putin, si pasojë e rezistencës së Ukrainës.
Korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë është me Putinin.
l. Të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë janë tani në ankth, se po shohin dekadencën e forcës tiranike Putin, si pasojë e rezistencës së Ukrainës.
Midis tyre, Saliu ka vënë stemën e Ukrainës në xhaketë, por paratë e korrupsionit ka shpresën t’ia shpëtojë Putini.
Edhe të tjerët vjedhës politikë të shqiptarëve, kështu janë, por nuk veprojnë si i tremburi Sali me stemën e Ukrainës. Do shihni komedinë tragjike pas një muaji.
ll. Ukraina po e mposht Rusinë e çorientuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Psikika e një diktatori absolut krijon konflikte lufte nën një pasion të dyfishtë: ai ka njëherësh dëshirë për pushtet dhe për luftën që i duhet të garantojë pushtetin. Ky është edhe Putini sot.
Prandaj ka humbur. Nuk mund të ketë më shpresë për të fituar luftën; dhe pas humbjes së tij, do të ketë një ndryshim thelbësor të zhvillimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. I gjithë korrupsioni dhe rusizmi i Ballkanit Perëndimor, shpresoi shumë te Putini.
Tani është në shqetësim, dhe prandaj po gënjejnë në çdo çast nëpër mediat e tyre për ngadhnjimin rus, që nuk ekziston. Por lodhen kot.
Edhe luftën e Ukrainës, kuptohet se skema amerikane antikorrupsion po e drejton. Janë të lidhura. Shembja e Rusisë putiniane e dërmon tërësisht korrupsionin e lartë shtetëror në Ballkanin Perëndimor. Shumë para ka derdhur Putini në mbrojtje dhe në financimin e korrupsionit Shqiptar. Rrëzimi i Vladimir Putinit do t’i zbardhë të gjitha. Prisni dhe shikoni.




