Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur mbrëmjen e sotme se Lulzim Basha e ka tejkaluar vijën e kuqe në qëndrimin ndaj Partisë Demokratike, ndaj për këtë arsye nuk do ta ftojë atë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, por shtoi se Basha mund të kandidojë përsëri për t’u zgjedhur kryetar i PD-së.
I pyetur nëse do t’i pranojë sërish deputetët demokratë që kanë folur kundër tij, Berisha tha se ata janë të mirëpritur për të vazhduar luftën ndaj qeverisë.
“Zgjidhja më e shkëlqyer është kompletimi i procesit të nisur dhe zbatimi i statutit të 11 Dhjetorit, i cili ka rikthyer votën e lirë në themel të PD-së dhe veprimtarisë së kësaj partie. Në rast se kjo që ndodhi, ose 6 Marsi, ishte pikërisht triumfi i asaj reforme dhe revolucioni që riktheu votën në PD. Në këtë kontekst, PD ngelet e hapur ndaj secilit drejtues, deputet, aktivist, anëtar, i cili për një arsye apo një tjetër, nuk u bashkua me të para datës 6 Mars. PD me gjithë rrëmbimin e logos, mori 31% të elektroatit shqiptar dhe 71% të elektoratit opozitar, kurse logoja e saj e konfiskuar nga Edi Rama mori 13%.
Në këtë kontekst, PD bashkë me LSI-në, janë fiks në kuotën e 25 Prillit, e cila nuk është fituese, por po të kemi parasysh që zhvillohen 5-6 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, zhvillohen vetëm për kandidatët e bahskisë, pa këshilla bashkiakë.
Ka një kompromis, janë forumet e PD-së që do zgjidhen. Secili demokrat ka të drejtë të konkurojë për çdo post. Ishte mungesa e votës së lirë që solli krizën. Nëse Basha do merrte vendimin me votën e lirë të deputetëve dhe Këshillit Kombëtar, PD sot nuk do ishte e përçarë”, tha Berisha.




