Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një prononcimi për mediat nga qyteti i Vlorës, ka komentuar edhe arrestimin e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.
Manja ka thënë se është kjo qeveri që ka krijuar reformën në drejtësi, dhe që sot po jep rezultat. Ministri tha se drejtësia duhet të bëjë punën e vetë.
“Partia Socialiste, kjo mazhorancë, ishte pikërisht kjo arsyeja që ndërmorëm një nga reformat më të rëndësishme në këto 30 vite siç është reforma në sistemin e drejtësisë.
Tashmë që drejtësia është në veprim, ta lëmë të bëjë punën e vetë. Çështjet e drejtësisë janë të drejtësisë, ne jemi mandatuar të qeverisim”, deklaroi Manja.
Alqi Bllako u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Fierit.




