Analisti Mentor Kikia, komenton faktin që 20 kompani kanë përfituar miliarda nga inceneratorët, ndërsa shprehet se kjo është një gropë e madhe apo landfill që po ti heqësh dheun që e ka mbuluar, del gjithë pisllëku që gjendet brenda.
Kikia tha se nuk mendon se arrestimi i Alqi Bllaksos duhet të jetë i fundit, pasi shtoi se aksioni i deritanishëm i drejtësisë, është përqendruar te një institucioni vetëm, tek Ministria e Mjedisit.
Deklarata e Kikias:
“Ministria e Financave, duhet të kërkonte më shumë informacion para lëvrimit të parave, ministria e Ekonomisë duhet të kontrollonte zbatimin e projekteve që nëse do ishte bërë do ishin zbuluar allishverishet mes partnerëve dhe projekteve. Nuk mundet që të jetë zoti Bllako përgjegjësi i fundit në listën e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi penale për këtë katrahurë, pasi ka një mënyrë arrogante edhe të vjedhjes. Njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë skemë, nuk janë kujdesur fare edhe të mbrohen. Partitë në Shqipëri, gjatë rekrutimit të kandidatëve për kryebashkiakë dhe deputetë kur gjendeshin përballë të papriturave ligjore, liderat e tyre apo zoti Rama thoshte ‘nuk mbaj përgjegjësi për këtë’, nëse rezultojnë të inkriminuar, largohen. Është një sëmundje nga e cila ka vuajtur në mënyrë sistematike politika shqiptare. Në rastin e zotit Bllako kur ka kandiduar për deputet, nuk ishte as i akuzuar dhe as person nën hetim. Tërhoqi vëmendjen akrobacia politike, ku nga një parti kaloi tek tjetra, por ky cirk politik është i vjetër. Partitë në Shqipëri janë gati të bashkëpunojnë me gjithkënd për të siguruar që të kenë pas vete njerëz që duhet të kenë vetëm një mision, të sigurojnë vota”, tha Kikia.




