Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka komentuar ngjarjet e fundit në Partinë Demokratike dhe vendimin e marrë nga gjykata për regjistrimin e Statutit të ri të demokratëve.
Bylykbashi, në një intervistë televizive, e quajti vendimin e gjykatës të vonuar, madje shtoi se nëse gjykata do të kishte veporuar më herët, do të ishte shmangur ngjarja e 8 janarit në selinë blu. Ai u shpreh se ishte pikërisht Lulzim Bahsa ai që e futi PD-në në krizë.
“Vendimi ka qenë një moment çlirimi përtej PD. Ishte kulmimi i një procesi që duhet të kishte ndodhur më herët. Nëse gjykata do të kishte vendosur më herët nuk do ta kishim pasur 8 janarin sepse Basha do të ishte larguar më herët. U njoh zyrtarisht Kuvendi i 11 dhjetorit dhe njohu Statutin e ri që i heq pushtetin kryetarit dhe gjithashtu njohu shkarkimin e Bashës, më pas dorëheqja është folklor, ai është shkarkuar. Në çdo rast Basha ka ikur, nëse do të kthehet apo jo janë hipoteza. Tashmë e dinë të gjithë që ai njeri e futi në një krizë të rëndë PD ka ikur tashmë, politikisht është një figurë që ka eksperiencë”, tha ai.
Ai shpjegoi se ideja që Basha duhej të largohej nga drejtimi i partisë ka qenë që më parë, madje bëri me dije se në 2017 i ka kërkuar ish kryeministrit Sali Berisha të kthehej në PD.




