Vazhdon seria e tenderëve abuzive të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Kësaj radhe, skandali është përsëritur me tenderin 1,18 miliardë lekë ose 9,7 milionë euro për rikonstruksionin e aksit 19 km të gjatë Maliq-Lozhan i RiStrelcë, ku fituese ka dalë kompania “Gjikuria” me një ofertë sa 98,4% e fondit limit. Konkretisht, kompania “Gjikuria” ka ofruar 1.16 miliardë lekë, ndërsa skandali thellohet pasi kjo ofertë është renditur e pesta për nga çmimi.
Oferta më e mirë dhënë nga bashkimi i operatorëve kryesuar nga kompania “Arifaj” ishte 1 miliardë lekë ose 8,7 milionë euro, plot 1 milion euro më e leverdishme se oferta e dhënë nga kompania “Gjikuria”.
Pastaj me radhë janë 3 oferta të tjera më të mira, por që janë skualifikuar nga Autoriteti rrugor shqiptar, i drejtuar nga Evis Berberi. Nga 7 oferta, ARRS-ja ka skualifikuar 5, mes tyre 3 oferta më të mira dhe 2 më të larta se oferta fituese e dhënë nga kompania “Gjikuria”.
Ndërkohë, në dokumentin zyrtar të shpalljes së fituesit siguruar nga “News 24”, nuk ka asnjë informacion se pse është skualifikuar oferta e dhënë nga një bashkim operatoresh kryesuar nga kompania “BE – IS”, edhe pse kjo ofertë ishte e katërta më e leverdishme, me një vlerë prej 9,4 milionë euro, rreth 250 mijë euro më e lirë se oferta e kompanisë “Gjikuria”. ARRSH-ja ka renditur një sërë justifikimesh për skualifikimet, por dyshimet për paracaktimin e fituesit janë të mëdha pasi janë hequr katër oferta më të mira, që është dhe kriteri bazë i shpalljes së fituesit.




