Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu ka denoncuar vjedhjen e shekullit me inceneratorët, ku grantet e BE-së për bujqësinë, qeveria ia jep inceneratorit të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Balliu ka shpjeguar se si u ndërtua skema e përfitimit të fondeve nga IPARD si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi.
Deklaratë e Shefit të Organizimit në PD, Klevis Balliu
Persona të lidhur me inceneratorin e Tiranës kanë përfituar nga fondet për bujqësinë të Bashkimit Europian. Programi IPARD akordon grante të pakthyeshëm, që BE i jep qeverisë shqiptare, si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi.
Keqpërdorimin e këtyre fondeve e ka denoncuar në media këto ditë eksperti Ervin Resuli dhe e ka hetuar më tej revista Monitor. Si u ndërtua skema e përfitimit të fondeve nga IPARD:
Me datën 16 gusht 2021 shoqëria “Integrated Energy BV SPV”, që ka marrë me koncesion ndërtimin dhe operimin e incerneratorit të Tiranës, i ka shitur shtetasit E.B një sipërfaqe toke arë 8500 metër katror në zonë e Sharrës.
Më pas shtetasi E.B. ka bërë një kontratë konsulence me kompaninë “Consulting SE Partners” në pronësi të Stelja Gugallës, që të plotësojë të gjitha dokumentet e nevojshme tek Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të përfituar fonde për ndërtimin e një fermë në zonën e Sharrës.
Me 22 shkurt 2022 personi E.B. bëhet administrator me të drejtë firmë dhe përfaqësimi i inceneratorit të Tiranës. AZHBR e shpall fitues personin EB me një vlerë prej 310 mijë euro.
Cilat janë përfundimet:
Integreted Energy, Consulting Partners dhe ABZHR, nuk janë gjë tjetër veçse mekanizma që plotësojnë njëri-tjetrin me një qëllim: vjedhjen e pasurisë publike. Duke pasur në dorë edhe gurin edhe arrën, sekserët e qeverisë dhe bashkisë, fusin në skemën e zhvatjes edhe fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Skema është e rafinuar dhe tregon implikimin e drejtpërdrejtë të ‘peshqve të mëdhenj’ në qeveri dhe bashki. Një akses dhe guxim i tillë, që i çon sekserët deri te grantet e BE i mundëson vetëm një fakt: firma e paligjshme dhe bekimi i Edi Ramës.
Partia Demokratike i bën thirrje Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë që të tregohet vigjilent me paratë e taksapaguesve europianë. Grantet që jepen për bujqësinë duhet të shkojnë aty ku janë adresuar, dhe aty ku ka nevojë. Ato duhet t’i marrin bujqit e Shqiperise, jo ujqit e qeverisë.




