Gazetarja ruse, Marina Ovsyannikova e cila protestoi live në televizionin kombëtar kundër pushtimit të Ukrainës, është arratisur drejt Europës.
Këtë e ka bërë të ditur avokati i saj, Dmitry Zakhvatov në një prononcim për AFP.
“Ovsyannikova dhe vajza e saj u larguan nga Rusia vetëm pak orë pasi iu dha masa e sigurisë arrest shtëpie. Ata janë në Europë tani” – tha shkurtimisht Zakhvatov.
Gjithashtu avokati konfirmoi se gazetarja dhe vajza e saj tashmë janë nën mbrojtjen e një shteti europian, por nuk e specifikoi se në cilin vend janë strehuar.
Ndërkohë, sipas avokatit, djali i Ovsyannikova-s është ende në Rusi. Ish-redaktorja e televizionit kombëtar rus, protestoi live gjatë edicionit të lajmeve kundër pushtimit të Ukrainës.
Ajo shpalosi një banderolë të madhe në ekran ku kritikonte vendimin e Rusisë për të pushtuar Ukrainën. Fillimisht ajo u gjobit me 250 euro, por më pas autoritetet ruse nisën një hetim ndaj saj për propagandë.




