Vijojnë kontrollet në kopshte dhe çerdhe jo publike, për të kryer verifikimet nëse janë në përputhje me rregullat dhe ligjin apo jo. Nga kontrollet janë konstatuar 81 çerdhe dhe kopshte private, që operojnë pa licensë dhe dokumentet përkatëse.
Kontrollet kanë vijuar jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytetet e tjera. Nga 201 subjekte janë konstatuar 63 çerdhe dhe kopshte pa licencë, nga këto 40 në Tiranë, 11 në Durrës, 4 në Lezhë, 4 në Shkodër, 2 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër.
Ndaj pronarëve dhe administratorëve rëndojnë akuzat: “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Punësimi i paligjshëm”, “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërsa për 18 subjektet e tjera janë gjobitur pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me organet tatimore.




