Pas përfundimit të procesit zgjedhor, një numër kandidatësh nga forca të ndryshme politike kanë shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatin dhe kanë kërkuar transparencë përmes pamjeve filmike të qendrave të votimit.
Në Tiranë, kandidati i Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti, i cili humbi përballë Jorida Tabakut, ka kërkuar rishikimin e materialeve filmike.
“Në cilësinë e kandidatit për deputet në listën shumë-emërore të PD-ASHM ju paraqes këtë kërkesë për vënien në dispozicion të pamjeve filmike të procesit të numërimit të votave të subjektt politik, pamjeve filmike të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, tabelave përmbledhëse të rezultateve të kandidatëve për deputet të Koalicionit PD-ASHM”, thuhet në kërkesën e Alimehmetit.
E njëjta kërkesë është bërë edhe nga kandidatja socialiste Blerina Gjylameti, që ndodhet në një garë të ngushtë me Olta Xhaçkën.
Në Kukës, kandidati demokrat Shkëlzim Shehu ka kërkuar transparencë pas humbjes nga Isuf Çela, ku vendimtare rezulton të ketë qenë vota e diasporës.
Gjithashtu, dhe Xhemal Qefalia, i cili u mund me diferencë të vogël nga Ornaldo Rakipi, ka bërë të njëjtën kërkesë, ndërkohë në qytetin e Durrësit, kandidatja demokrate Ilirjana Kuçana ka kërkuar rishikimin e pamjeve filmike.
Sakaq, dhe kandidatë nga partitë e tjera kanë kërkuar sqarime për rezultatin, nga Partia Djathtas 1912, Rajmond Dervishi i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, Etilda Gjonaj e PS, Altin Goxhaj dhe Aulon Kalaja të PD-së dhe Frrok Gjini i PS-së në Shkodër.




