Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Maliq, ku një 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas një konflikti që sipas policisë ka ndodhur për motive banale.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pirg të bashkisë së Maliqit teksa dy të miturit janë takuar për t’u sqaruar në ambientet e një lokali.
Viktima E.Xh 14 vjeç nga fshati Zvirinë dhe autori E.G nga fshati Lemimot sipas të dhënave janë takuar në ambientet e jashtme të lokalit, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë i mbyllur dhe janë konfliktuar mes tyre duke e degraduar sherrin në konfrontim fizik dhe autori ka goditur me thikë viktimën, i cili pavarësisht se është transportuar në spital nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas policisë i dëmtuar ka mbetur edhe autori i ngjarjes, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Blutë bëjnë me dije se në pranga është vënë autori Enedio Guri, i cili ka tentuar të arratiset me automjet pas krimit, një 34-vjeçar i pranishëm gjatë krimit, babai dhe xhaxhai i autorit pasi kanë fshehur thikën me të cilën u krye vrasja, si dhe 4 të mitur të tjetër, të cilët kanë mashtruar në deklarimet e tyre në Polici për të tentuar zbulimin e së vërtetës.
“Në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.” – njofton Policia e Korçës.
Autoritetet bëjnë me dije se kanë sekuestruar edhe mjetin prerës (thikë) me të cilën u krye krimi, automjeti me të cilin tentoi të largohej autori dhe shoku i tij, si dhe 5 celularë.




