Saturday, July 25, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Udhëtim drejt rinisë time”, Berisha sfidon moshën, ngjitet në këmbë në majën...

“Udhëtim drejt rinisë time”, Berisha sfidon moshën, ngjitet në këmbë në majën e Çorovodës

0
206
Zjarr Televizion Adccccc

Sali Berisha ka ndarë përvojën e tij të veçantë nga ngjitja në majën e Çorovodës, në 1800 metra lartësi, duke e quajtur këtë aventurë “udhëtim drejt rinisë sime”.

Ai tregon se udhëtimi e riktheu në verat e fëmijërisë, kur çdo majë, çdo luginë dhe lumenjtë me ujë kristaltë ishin pjesë e ditëve të jetës së tij alpine. Rrugët e malit kalonin mes bredhave madhështorë dhe vilave druri të banorëve lokalë, dhe Berisha refuzoi përdorimin e makinës për të përjetuar çdo hap të ngjitjes.

Pas afro 10 mijë hapash, ai arriti në majë, ku e pritën pamje mahnitëse: Kosova nga njëra anë, Sanxhaku nga tjetra, një liqen i vogël si diamant dhe një fermë kuajsh të racave të ndryshme. Berisha ndjeu emocione të forta teksa u rikthye pas pasionit të fëmijërisë për kalin dhe natyrën.

Në majë, ai nuk harroi historinë e dhimbshme të zonës, duke përmendur masakrat e kryera gjatë luftës së fundit nga ushtria serbe, duke lidhur bukurinë e bjeshkëve me kujtesën historike të popullit shqiptar.

Pasditen e tij Berisha e mbylli me kthimin tek mikpritësit dhe miqtë, duke falënderuar për organizimin dhe mundësinë për një eksperiencë kaq të veçantë. Ai përfundon postimin e tij me një konstatim: malet dhe bjeshkët janë epike, dhe momentet e tilla rikthejnë shpirtin dhe pasionin e fëmijërisë.

Postimi i Berishës:

Udhëtim drejt rinisë time!

Të dashur miq, pas darkës festive, më datë 14 gusht, pas një mëngjesi me prodhime bjeshke së bashku me mikpritësin Ganiun, familjarët e tij dhe miqtë gjermanë, si dhe me Abi Malltezin dhe Genti Strazimirin, nisëm udhëtimin drejt Majës së Çorovodës, rreth 1800 m lartësi. Këtë udhëtim e quajta “udhëtimi drejt rinisë time”, ose më saktë, rikthim në rininë time.

Deri në moshën 27-vjeçare, çdo verë e kam kaluar në bjeshkë, në Alpe. Udhëtimet e gjata, ngjitjet në maja, herë edhe të thepisura, si alpinist popullor dhe noti në ujërat e kristalta të lumenjve, që shpesh vinin nga shkrirja e borës, së bashku me leximin plot pasion të librave, mbushnin ditët e jetës sime “alpine”. Kisha ngjitur çdo majë që rrokte syri, nga Shkelzeni te Lugu i Gusanit, përballë Gjerovicës.

Kurse tani po nisesha drejt një maje që nuk e kisha parë kurrë, por që më tërhiqte si magnet, njësoj si majat e bjeshkëve të mia. Teknikën e kisha, por duhej edhe forca. Udha kalonte nëpër një luginë të rrethuar nga të dy anët me bredha madhështorë. Në të dy anët e saj, banorët kishin ndërtuar vila druri të bukura për pushime verore. Refuzova makinën sa herë që m’u sugjerua në të përpjetat e forta.

Gjatë ecjes bëmë dy pushime rreth 15 minutëshe dhe, pas afro 10 mijë hapash ngjitjeje, arritëm në majën e Çorovodës, në 1800 metra lartësi, ku ndahet kufiri midis Kosovës dhe Serbisë (Sanxhakut). Pamja që hapej nga njëra anë Kosova, nga tjetra Sanxhaku ishte e pafund dhe madhështore. Në majë ndodhej edhe një liqen i vogël, i cili, edhe në këtë verë të thatë, kishte ujë dhe e zbukuronte si një diamant në kurorën e saj. Aty ishte edhe një fermë kuajsh të racave të ndryshme, shumë mirë të mbajtur dhe të bukur.

Nga Istogu e Peja, të rinj vinin këtu me motorçikleta dhe shëtisnin me kuajt. Disa nga miqtë e mi zgjodhën kuajt që dëshironin dhe kalëruan për t’u zbavitur. I zoti i fermës solli edhe për mua një kalë të bukur, allçë, me një larë të bardhë në ballë. U afrova, por me “shpirt të ndezur dhe zemër të thyer”, siç thotë Edgar Allan Poe, dhe e përkëdhela. Shpirti ato çaste u ndez vërtet, sepse u rizgjua tek unë pasioni i fëmijërisë për kalin, të cilin e doja shumë dhe e kalëroja në bjeshkë por edhe ne shtepi ( vërri) me ose pa shalë, me ose pa samar, në livadhe që ishin një vrap kali. Por zemra ime ishte e thyer, sepse, megjithë pasionin dhe mundësitë që kisha pasur në rini dhe me pas nuk kisha kalëruar kurrë më. Vetëtimthi mendova se nuk e meritoja kënaqësinë dhe as jehonën e lajmit, ndaj u ktheva dhe u ula aty ku isha. U ktheva me zemër të thyer.

Në majën e Çorovodës kishte edhe një muranë për një të rënë nga barbarët serbë. Në fakt, Lugu i Butë ishte edhe Lugu i Gjakut. Në luftën e fundit, hordhitë e ushtrisë serbe, nga maja e Çorovodës, ishin dyndur në Lugun e Butë dhe, në një akt barbarie e gjenocidi, kishin arrestuar në stanet e tyre ose në pyll 53 gra, fëmijë, burra të moshuar e invalidë, dhe i kishin ekzekutuar vetëm pse ishin të etnisë shqiptare.

Në orën 17:00 u nisëm nga maja e Çorovodës dhe u kthyem në shtëpinë e mikpritësve tanë. U mbyll kështu një udhëtim me mbresa të thella që nuk do ta harroj kurrë. Ndaj, edhe një herë, falënderoj Ganiun dhe të gjithë familjen e rrethin e tij për mundësinë që krijuan dhe organizimin e përsosur të atij udhëtimi në një zonë kaq të bukur, por edhe epike. Malet, bjeshkët janë epike!

Zjarr Tv Ad