Studiuesi Auron Tare ka bërë një reagim lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes pas ndeshjes Dinamo 1-1 Jagiellonia, ku disa tifozë polakë bënë disa gjeste të pahijshme në përmendoren e Skënderbeut në qendër të Tiranës. Tare shpreh indinjatën për faktin se kjo ngjarje nuk ka marrë reagimin e duhur, ndërsa kritikon edhe policinë se ka arrestuar të rinj shqiptarë që reaguan kundër tifozëve polakë.
“Vetem një populli i tredhur mendërisht nuk reagon për këtë ngjarje të pa dëgjuar. Nuk i di detajet por të mbash në burg djem që u përpoqën të mbrojnë nderin e Shqipërisë në këtë ofendim kombëtar nuk ka asnjë kuptim. Ata djem duhen lëshuar dhe duhen falenderuar për atë që bënë në emër të shqiptarëve.”, shkruan Tare.
Tare kërkon lirimin e të rinjve shqiptar pasi sipas tij u përpoqën që të vënë në vend nderin kombëtar.
Reagimi i plotë:
Një grup huliganësh polakë i bëjnë shurrën Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.
Një grusht djemsh shqiptarë me zemër protestojnë dhe hedhin gurë kundër tyre.
Policia Shqiptare i fut brënda djemtë shqiptarë dhe i mban në burg me akuzë për veprime të dhunshme.
Në Shqipëri askush nuk flet për këtë ngjarje dhe njerzit e kanë hallin tek telenovelat dhe thashethemet për Ministrat.
Imagjinoni në se kjo ndodhte në Greqi, Itali apo në ndonjë nga ato vendet e Europës që na ka hapur Kapitujt e bashkë egzistencës.
Vetem një populli i tredhur mëndërisht nuk reagon për këtë ngjarje të pa dëgjuar. Nuk i di detajet por të mbash në burg djem që u përpoqën të mbrojnë nderin e Shqipërisë në këtë ofendim kombëtar nuk ka asnjë kuptim. Ata djem duhen lëshuar dhe duhen falenderuar për atë që bënë në emër të shqiptarëve.
Përndryshe e gjithe fasada me figurë e Gjergjit nëpër Bashki dhe Institucione është një hipokrizi vanitoze e një populli që nuk ka respekt për vendin dhe herojtë e vet.




