Kompania postare DHL i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke kërkuar pagesën lidhur me transportimin e votave në diasporë për zgjedhjet e 11 Majit.
Përmes kërkesë që mban datën 1 shtator, kompania e shërbimit postar i kërkon KQZ-së pagesën prej 8.6 milionë euro, duke pretenduar se deri më tani, katër muaj pas zgjedhjeve, nuk kanë marrë asnjë pagesë.
DHL i ka lënë afat të fundit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fundin e shtatorit, ose në të kundërt paralajmërojnë se do u duhet që të paguajnë 260 mijë euro kamatvonesa.
KQZ nuk ka bërë asnjë pagesë, pasi po verifikon zbatimin e kontratës, pas polemikave që shoqëruan procesin e votës së diasporës.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 Majit për herë të parë u aplikua vota e diasporës. Lidhur me shpërndarjen e fletëve KQZ lidhi kontratë me kompanitë postare DHL të cilët u morën me dërgimin e zarfeve në çdo shtëpi shqiptari në diasporë.
Por të shumta kanë qenë akuzat e opozitarëve për kompaninë në fjalë lidhur me transportimin e votave dhe transparencës e bërë. Ata kanë pretenduar se shumë shqiptarë nuk morën në duar votën e tyre, ndërkohë që një reagim më herët erdhi edhe nga kompania postare.
Përmes një njoftimi zyrtar ata hodhën poshtë çdo akuzë apo pretendim nga opozita duke sqaruar më tej se u përmbajtën në çdo pikë kontratës së nënshkruar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe duke respektuar në të gjitha këto shtete protokollet e shpërndarjes së sigurt në adresat përkatëse.
“DHL Albania, si pjesë e rrjetit global DHL me prani në më shumë se 220 vende, realizoi këtë projekt kompleks në një afat rekord, duke garantuar procesimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore me saktësi, siguri dhe transparencë të plotë. Për këtë qëllim, u aktivizua një avion i dedikuar që operoi çdo ditë deri në afatin e fundit të vendosur nga KQZ.
Sfidat e mëdha –nga kufizimet kohore deri te kompleksiteti gjeografik dhe problematikave në cilësinë e të dhënave në dispozicion – u tejkaluan me profesionalizëm, duke përdorur teknologjinë dhe infrastrukturën e përparuar të DHL. Integriteti i shërbimit të DHL është i padiskutueshëm dhe i pakompromentueshëm ndaj çdo interesi, financiar apo politik”, thuhej në njoftimin e kompanisë.




