Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet më 23 shtator për shkarkimin e Erion Veliajt

0
14

Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë ditën e martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Sipas këtyre informacioneve, këshilltarëve socialistë të Tiranës ju kërkua që të procedojnë me kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt, duke aktivizuar nenin 62 të qeverisjes vendore, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë prej 3 muajsh. Kërkesa është firmosur nga të gjithë këshilltarët socialistë të pranishëm në mbledhje.

Kujtojmë që Erion Veliaj nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se 6 muaj, që prej arrestimit të tij më 10 shkurt 2025. Që prej asaj kohe ai ndodhet me masë sigurie arrest në burg nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Vetë Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka kërkuar disa herë në shkallët e ndryshme të gjyqësorit një masë më të lehtë sigurie, por të gjitha kërkesat i janë rrëzuar.

Mbledhja në selinë e PS, që nisi në orën 17:00 dhe përfundoi në orën 18:30, drejtohej nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak Megi Fino dhe kryetari i grupit socialist në Bashkinë e Tiranës, Eridian Salianji.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Veliajt do të duhen 31 vota nga 61 anëtarë që janë gjithsej, numra të cilat socialistët i kanë. Pas vendimit që do të marrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, firmën përfundimtare do të duhet ta hedhë Kryeministri.

Shkarkimin e Erion Veliajt e kërkuan edhe këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës, që në muajin maj 2025.

Më 10 shtator SPAK njoftoi se e dërgoi në gjykatë dosjen Veliaj. Ndërsa më 11 shtator, në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Rama u kërkoi kryebashkiakëve socialistë që të nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Rama deklaroi gjithashtu se PS do të kandidojë Ogerta Manastirliun për Bashkinë e Tiranës.

Sipas ligjit, këshilli bashkiak ka për detyrë të propozojë shkarkimin e kryebashkiakut, ndërsa vendimi merret nga Kryeministri.

Nëse Kryeministri Edi Rama firmos shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, socialistët e kanë gati kandidaten, Ogerta Manastirliun. Por kjo mund të ndodhë nëse kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e ankimon procedurën e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.

Kryebashkiaku ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Për momentin Veliaj, i cili ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim, nuk ka bërë asnjë koment për vendimin politik.

Ligji thotë se në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetutese.

Nga ana tjetër, nëse Bashkia e Tiranës shkon në zgjedhje të parakohshme, opozita deri më tani nuk ka gati asnjë kandidat gati që do të rivalizonte Manastirliun. Edhe ata pak emra që u përfolën si kandidatë të mundshëm, Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku kanë refuzuar publikisht kandidimin.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.

Zjarr Tv Ad