Reshjet e borës kanë nisur në zonën malore të Dukagjinit, duke sjellë një dimër të parakohshëm në zonë, por fatmirësisht rrugët janë plotësisht të hapura.
Aksi Shkodër-Theth nuk është prekur ende nga reshjet e borës dhe rruga është e kalueshme për të gjitha automjetet.
Bora ka zbardhur majat e larta të maleve si dhe një shtresë e hollë ka mbuluar pemët.
Automjetet e firmave nënkontraktore janë në gatishmëri të plotë në rast të përkeqësimit të motit dhe reshjeve të borës në atë aks rrugor.
Edhe rruga e Vermoshit në Malësinë e Madhe është e hapur dhe nuk ka reshje bore. Në këtë zonë bora ka prekur majat e maleve ndërsa akset rrugore nuk kanë probleme.
Nderkohe raportohet se reshjet e para të dëborës kane mbuluar edhe zonat malore të Kukësit. Ato nisën pas mesnate dhe po vijojnë me intensitet të ulët duke krijuar një shtresë, e cila shkon deri në 15 centimetra .
Kushtet e motit dhe reshjet e dëborës kanë ulur ndjeshëm temperaturat në këto zona duke i zbritur në 0 deri 3 gradë Celsius.
Në shumë fshatra të njësisë administrativë Shishtavec është ndërprerë energjia elektrike. Mjetet borëpastruese janë në terren për të mbajtur rrugët në qarkullim të plotë dhe pa pengesa.




