Të gjitha rastet kur presidenti Begaj është sjellë si shërbëtor i Ramës

0
22

Shumëkush e ka ende të gjallë në kujtesë, një fjalim të Edi Ramës, në nëntor të 2023, në ditën e aflabetit, kur gjysëm me humor dhe gjysëm me provokim kryeministri shqiptar i drejtohej presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani: “Shpresoj që Albin Kurti të të dëgjojë ty, ashtu sikurse unë e dëgjoj presidentin tim”. Fjala nuk qe thjeshtë tek propozimi për ta shpallur këtë datë festë kombëtare tek të dy vendet. Lajm bëri fakti se kryeministri shpalli botërisht se ai i’a vinte veshin kreut të shtetit, i cili po shkrihej si sheqer nga lumtuaria, ndërsa kamera e fiksoi duke dëgjuar këtë batutë.

Në fakt kronika e ngjarjeve të nxjerra nga arkivi 3 vjeçar i Lapsi.al, tregon krejt të kundërtën. Dëgjuesi i bindur ka qenë vetëm Bajram Begaj. 

Dekretimi i zgjedhjeve të parakohshme të Tiranës në kundërshtim me nenin 115 të ligjit themeltar të shtetit, që e pezullon procesin në rastet kur kryebashkiaku i shkarkuar ankohet në gjykatën kushtetuese, nuk është rasti i parë që presidenti vihet në shërbim të Edi Ramës.

Që nga shtatori i vitit 2022, kur ai u zgjodh me 78 vota, pothuajse të gjitha të koalicionit qeveritar, gjeneral Begaj është treguar një ushtar i bindur. Madje edhe në gjërat më të vogla, nga ato që kanë lidhje me protokollin.

Askush se ka harruar se kur ish presidenti Bill Klinton erdhi në Tiranë, në korrik 2023 presidenti i vendit mungoi në ceremoni. Ai ishte “harruar” të ftohej nga kryeministri organizator, i cili ndërkohë kishte rrëmbyer edhe kompetencën për të shpërndarë dekorata, duke i dhënë ish nismëtarit të çlirimit të Kosovës një medalje të shpikur prej tij, “Yllin e mirënjohjes”. I turpëruar dyfish presidenti nuk e hapi gojën. Vetëm pasi mediat e bënë shumë të zhurshëm këtë lajm, zyra e shtypit të presidencës njoftoi se mungesa justifikohej me “shkaqe mjeksore”.

Ky nuk është rasti i vetëm. Sa herë i është dashur Ramës, Begaj është fshirë nga pjesmarrja në takime apo samite ndërkombëtare. Ndonëse në traditën e diplomacisë shqiptare mbretëron një ligj i pashkruar, që vendi përfaqësohet në samitin e përvitshëm të OKB-së, një herë nga kreu i shtetit dhe një herë nga kryeministri, në shtator 2023, Begajt ia dogjën radhën pa i dhënë asnjë shpjegim. Po kështu Rama e ka detyruar presidentin ti thotë jo ftesës së përbashkët të marrë nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe për samitin e klimës në nëntor 2024.

Episodi më mbrslënës qe ai i përkujtimit të 20 vjetorit të samitit historik të Selanikut, i cili i hapi rrugën drejt BE-së vendeve të Ballkanit Perendimor. Ai u zhvillua në kulmin e krizës mes Athinës dhe Tiranës, që pasoi burgosjen politike të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Në mënyrë arrogante autoritetet greke nuk e ftuan kryeministrin Rama, të cilin e bënin përgjegjës për këtë makinacion politik. Qeveria Mitsotakis bëri të ditur se ky ishte një distancim politik dhe se si organizatorë ata do të ftonin presidentin Begaj.

Ky i fundit, që nuk guxonte të shkonte përpara Ramës gjeti justifikimin më qesharak të mundëshëm, që zor se ia besonin edhe familjarët e vet: e kishte “axhendën të ngjeshur”. 

Por, roli i Begajt nuk ka shërbyer vetëm për të përmbushur vanitetin ndërkombëtar të Ramës, ai është përdorur edhe si vegël, për manovra meskine të brendëshëme.

Në kulmin e krizës palrlamentare kur opozita bllokoi për tre muaj parlamentin për arsye se asaj i ishte mohuar e drejta kushtetuese për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore, kreu i shtetit u hodh në fushë si një zar në shërbim të mazhorancës. Duke e ditur shumë mirë se në kuvend nuk mund të mbahej seancë normale për shkak të kaosit të krijuar, ai urdhërua me urgjencë të mbante një fjalë, në 15 janar 2024, përballë deputetëve. Natyrisht që nuk e bëri dot. Por qëllimi ishte për të njollosur PD-e cila nuk lënkërka as presidentin të flasë.

Kjo u duk qartë nga interpretimi që i bëri ish kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolli këtij incidenti: “I kërkojmë ndjesë presidentit të Republikës. Për shkak të situatës së krijuar nga deputetët e opozitës pamundësohet që qytetarët të ndjekin fjalën e tij nga Kuvendi”,- u shpreh ajo. Megjithëatë Begaj e mbajti fjalën e tij nga selia e presidencës ku nuk shqiptoi dot asnjë rrokje për respektimin e të drejtave të opozitës, por ku nuk harroi të fshikullojë atë: “Qytetarët shqiptarë presin të shohin një parlament funksional, dhe jo përplasje fizike në shtëpinë e demokracisë sonë”. 

Lista e shërbesave meskine nuk ka fund. Në maj 2023 parlamenti i kërkoi presidentit të dekretonte me procedurë urgjente, ligjin për rritjen e pagave të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Ushtar i bindur ai e zabtoi urdhrin me të parën, vetëm pasi vuri një kusht të vogël. Ma sillni për firmë paradite se më vonë udhëtoj për në Gjermani. Madje karagjozllëku nuk ka fund, ai ktheu përgjigje zyrtare se do të bënte një gjë të tillë, para se votimi të kryhej, ndonëse formalisht ende nuk dihej rezultati i tij.

Begaj i ka shërbyer me zell edhe lojrave të vogla brenda klaneve të mazhorancës për të kontrolluar prej tyre segmente te drejtësisë. Tipike në këtë rast është përpjekja për të kapur edhe ato ishuj të pakontrollueshëm brenda Gjykatës Kushtetuese. Begaj me anë të një letre, në janar të këtij viti i ka kërkuar kësaj gjykate të interpretojë nëse tre nga mandatet e anëtarëve të saj duhet të mbyllen para mbarimit të afatit 9 vjeçar. Nën presionin e një militanti, si kreu i Gjykatës së lartë, Sokol Sadushi, Begaj shpërfilli edhe dekretin e parardhësit të tij, duke hedhur një hap që u pa me shumë shqetësim edhe në raport progresin e Bashkimit Evropian.

Presidenti që iu drejtua Kushtetueses atëherë kur nuk ishte e nevojshme, tani në fund e anashkaloi atë, kur i kërkuan të shpallte zgjedhjet e parakohëshme në Tiranë. Sepse për ish ushtarakun Begaj urdhëri mbizotëron mbi ligjin.

Natyrisht, që po të shikohet me vëmendje kjo kronologji e përgatitur nga Lapsi.al, vërehet pa vështirësi se të gjitha cic-micet e Begajt nuk kanë sjellë ndonjë pasojë të ububushme. Me qëndrimet, aktet dhe meskinitetin e vet ai as nuk ka bërë ndonjë dëm të madh, as e ka ndryshuar rrjedhën e përcaktuar të ngjarjeve që do të ishin po të tilla edhe pa të. Thjeshtë ai është sjellë si një president i vogël që e kanë përdorur për shërbime të rëndomta. Prandaj dhe shumëkush mund të bëjë çudi sa herë kujton atë thënien e Ramës se ai e dëgjon presidnetin e vet./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad