Numri dy i qeverisë, Belinda Balluku ka shkuar në Kryeministri pasi GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim dalje nga vendi”.
Përveç masës për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, GJKKO ka dhënë masën ‘arrest shtëpiak’ edhe për dy zyrtarë të tjerë.
Bëhet fjalë për Erald Elezin, drejtor i KESH-it, dhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Elezit i është komunikuar akuza “shpërdorim detyre dhe “shkelje e barazisë në tendera”.
E njëjta akuzë iu komunikua edhe kreut të ARRSH Gentian Gjyli.
Mësohet se provat ndaj Elezit janë siguruar nga materialet e sekuestruara në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është gjithashtu nën hetim për këtë dosje, por ndodhet në burg që prej marsit 2024 pasi u arrestua me urdhër të SPAK me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
SPAK ka nisur hetimin pasuror ndaj 25 të dyshuarve, 22 individë dhe 3 subjekte private. Ndër fondet dhe tenderat e abuzuar janë edhe ato të eficensës së energjisë elektrike, të subvencionuara nga BE. Hetimet janë në zhvillim dhe përfshijnë një tjetër fraksion që lidhet me zyrtarë të lartë.
Në kohën e kryerjes së veprës penale, si Gjyli edhe Elezi ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), në varësi të Evis Berberit.




