Rasti i Ermes Hoxhallit ka tronditur opinionin publik jo vetëm për shkallën e manipulimit, duke përfshirë emrin e Ambasadës Amerikane për të fituar besueshmëri me projektin e bursave në shkollat shqiptare, por edhe për mënyrën se si institucionet shtetërore u mashtruan përmes një identiteti të rremë, vetëm se menduan se po punonin me mbesën e kryeministrit.
Në një rrëfim për Top Channel, pasi ka shlyer dënimin me burg, ai tregon se ka kaluar përmes një procesi të rrallë psikologjik dhe social, krijimin e një bote paralele, ndërsa tregon edhe detajet nga mashtrimi duke pretenduar se nuk është i vetëm në këtë skemë.
Pjesë nga intervista
A mund të na tregosh se si lindi Klea Rama?
Ermes Hoxhalli: Unë do t’ju them që nuk kam unë autorësinë e këtij personazhi.
Por ju jeni i dënuar, keni kryer burg për këtë vepër.
Ermes Hoxhalli: Patjetër që kam kryer, por kjo nuk do të thotë që drejtësia është perfekte.
Nuk e ndjen veten fajtor?
Ermes Hoxhalli: Unë e ndjej veten fajtor në një pjesë të gjësë, jam pjesë e baltës. Gjithë të tjerët që kanë qenë në lëvizje të këtij personazhi duhet të jenë para drejtësisë. Por u morën vetëm me mua dhe vulat që kisha bërë prej Ambasadës. Kaq. Dhe unë, një çmenduri që e bëra atë gjë. Nuk janë analizuar thelbi, detajet, motivet. Mbylleshin seancat brenda 5 minutash, sa për të mbyllur një dosje dhe për të kaluar në një tjetër.
Kush duhet të jetë para drejtësisë përveç teje?
Ermes Hoxhalli: Kjo gjë ka lindur në Ministrinë e Arsimit dhe ka rrjedhur më pas në të gjithë institucionet e tjera arsimore. Duhet të përgjigjen së pari zyrtarët e ministrisë se si është mundur që është futur ky projekt. Institucionet me të cilat unë jam ende në proces gjyqësor nuk kanë hedhur dritë mbi të vërtetën.
Por ti je i dënuari i vetëm, Ermes. Si e pranove kaq lehtë kur nuk ke qenë vetëm?
Ermes Hoxhalli: Drejtësia për mua është ndërgjegje. Edhe unë nuk e di se si ata flenë gjumë, si jetojnë me këtë barrë mbi supe. Se unë e kam hequr tashmë nga vetja ime.
Por si u bëre pjesë? Si nisi?
Ermes Hoxhalli: U bëra pjesë nga disa persona që njihja.
Si e perceptoje, të dukej si një lojë, si një idealizim i dikujt që do doje të ishe?
Ermes Hoxhalli: Jo si një lojë, por si një marrëdhënie merr edhe jep për diçka si kjo që u bë.
Përfitimi ishte monetar, emocional, të ishe pranë njerëzve me rëndësi?
Ermes Hoxhalli: Një mori e të gjithave, pak nga të gjitha. Mbase kjo do më hapte dyert, sepse unë nuk i kam pasur dyert gjithmonë të hapura.
Mund të na tregosh, duke u rikthyer në hapat e parë në përfshirjen në këtë skemë, cili ka qenë roli yt?
Ermes Hoxhalli: Roli im? Ka qenë editimi i disa vulave, posterave, fotove, email-eve.
Emaile që kishin përmbajtje? Me kë flisje, drejtues shkollash, përfaqësues të Ministrisë?
Ermes Hoxhalli: Emailet kanë qenë thjesht një formë shumë institucionale me përmbajtje, pra e tipit shkresa, orare, dokumente… jo marrëdhënie konfidenciale me këta drejtues, siç e përmendët ju.
Si arritët të përfshinit shkollat në rang kombëtar?
Ermes Hoxhalli: Me urdhër nga Ministria.
Si arritët të bindnit Ministrinë, vetëm me faktin se u prezantuat si mbesa e kryeministrit?
Ermes Hoxhalli: Është dhënë urdhri brenda tre ditësh. Si ka mundësi që jepet urdhri kaq shpejt?
Pse mendove se duhej krijuar ky identitet i Klea Ramës?
Ermes Hoxhalli: Për mbiemrin që kishte.
Pati efekt, siç rezultoi…
Ermes Hoxhalli: Sigurisht që pati efekt. Por që dhe Ermes të ishte aty e të vinte nga ministrja, sigurisht do të kishte efekt. Nga zv.ministrja e institucionet, pastaj të gjitha shkollat janë të detyruara ta zbatojnë si gjë. Ideja është jashtëzakonisht e mirë, por mënyra e gënjeshtërt që është paraqitur është e gabuar, sepse unë jam marrë paralelisht me projekte kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë tjetër.
A ka pasur komunikime me zë?
Ermes Hoxhalli: Sigurisht që ka pasur, si mendon se mund të flasësh mbi një vit dhe nuk do të kesh telefonata me zë?
Pse duhej të falsifikoje vulat e Ambasadës?
Ermes Hoxhalli: Për ta bërë procesin sa më të besueshëm.
Çfarë mendove në atë moment… apo nuk e mendove gjatë?
Ermes Hoxhalli: Nuk e mendova.
Si mendove pasojat?
Ermes Hoxhalli: Shiko, kur njeriu gjendet përballë një gjëje të mirë dhe që për të shkuar te ajo duhet të kalojë në pengesa shumë të këqija, gënjehet nga e mira dhe detyrohet ta bëjë pa e menduar në mënyrë të ftohtë.
Pra e besoje që studentët do shkonin me bursë, do udhëtonin drejt Amerikës?
Ermes Hoxhalli: Isha unë ai që bëra vulat dhe e dija që s’do shkonin diku.
I hartoje ti testet?
Ermes Hoxhalli: Jo, testet vinin nga Ministria apo nga QSHA, mos gabofsha, kishin eksperiencë me provimet e maturës.
Kur u trembe? Kur e kuptove çfarë po bëje?
Ermes Hoxhalli: Kur isha pjesë e saj dhe kjo gjë po bëhej shumë e madhe.




