Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt këtë të hënë, ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri, Klodian Braho.
Gjatë fjalës së tij, Dumani i uroi suksese Brahos, duke shprehur besimin se ai do të vijojë punën në forcimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Ndërsa Braho falenderoi paraardhësin për punën e kryer.
“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Klodian Braho.
Dumani – Brahos: I bindur se do çosh para misionin!
Dumani i uroi Brahos suksese në detyrën e re, duke theksuar se do të mbështetet në trashëgiminë gjashtëvjeçare për të vijuar punën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Para se t’ia lë fjalën z. Braho, ti kaloj zyrtarisht dhe stafetën më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një ndër kapitujt që ka qenë ndër më sfiduesit e karrierës sime si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Ky është rezultat i punës së palodhur të të gjithëve, çdo punonjësi që ka kontribuar me integritet dhe kurajo.
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time partnerëve tanë dërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo hap. Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z.Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëdiminë 6-vjeçare, duke e çuar përpara misionin e SPAK-ut, me integritet e vendosmëri! Faleminderit dhe suksese z.Braho!”, tha Dumani.
Klodian Braho është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) gjatë seancës maratonë të 11 dhjetorit.
Klodian Braho u votua nga 7 anëtarë të KLP-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Në garë ishin pesë kandidatë. Përveç Brahos, kandiduan edhe Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Nga votimi përfundimtar, tre anëtarë të KLP-së mbështetën Adnan Xholin, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa asnjë votë nuk u dha për Doloreza Musabelliun.
Mandati i drejtuesit të SPAK-ut është 3-vjeçar dhe nuk parashikon të drejtë rizgjedhjeje.
Altin Dumani, i cili mori drejtimin e institucionit pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK-ut, përfundon kështu detyrën e tij drejtuese dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.




