Me qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protesën kombëtare para Kryeministrisë.
Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.
Kryetari i opozitës u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare.
Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike.
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptare, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë: ‘Çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë ‘ja do vdesim, ja do rrojmë për liri’. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel… Kur ne kemi dalë me këtë betim, kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne, të nxijnë Shqipërinë… Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, deklaroi Berisha.
Pas fjalës së kryedemokratit janë hedhur molotovë nga protestuesit në drejtim të Kryeministrisë. Godina e qeverisë ishte rrethuar nga forca të shumta policie, dera e Kryeministrisë ishte blinduar, ndërsa më herët ishte hequr pema festive dhe instalacioni i kërpudhës.
Protesta e opozitës para Kryeministrisë zgjati mbi dy orë. Pas fjalës së tij, kryedemokrati u zhvendos në selinë e PD-së.




