Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Elda Hoti dhe Fidel Kreka, janë përjashtuar për 30 ditë nga punimet e Kuvendit, pas skenave kaotike në seancën e fundit.
Ndërkohë, për 23 deputetë të tjerë, nuk u vendos përjashtim nga seancat plenare, por tërheqje vëmendje për sjelljen e tyre në Kuvend.
Sipas kërkesës së PS, seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.
Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.




