Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvillon sot një dëgjesë publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha adresoi dhe situatën e fundit të përmbytjeve në vend, duke bërë përgjegjëse qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’u gjuajnë të gjithë ministrave me vezë e domate, sa herë t’i shohin.
“Iu bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate. Këta janë shkaktarë kryesorë të fatkeqësive tuaja. I dëgjuat sot si tha, ‘po shpifet’.
Çfarë po shpifet? Më falni, dy hidrovorët e Durrësit, ai i Hamallës pa asnjë pompë në funksion, të vjedhura pompat dhe motorët e pompave. Këtu i kam. Kanë vënë pompa nafte me 30 litra ujë. Tjetrit nuk i punojnë pompat.”, tha Berisha.
Sipas tij, Durrësi është përmbytur në mënyrë apokaliptike.
Berisha shton se kryeministri nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse gjendja e jashtëzakonshme në ligjet e vendit, në Kushtetutë, ajo e detyron pastaj t’u përgjigjet qytetarëve me dëmshpërblim. Megjithatë përkundër fjalëve të Berishës, sjellim ndërmend se më herët sot kryeministri premtoi dëmshpërblim të drejtë për të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë.
“Shqipëria sot rrezik për Europën!“
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për krijimin e një narkoshteti. Madje sa i përket trafikimit të drogërave, sipas tij Shqipëria vlerësohet si një rrezik për Europën.
“Të nderuar të pranishëm, sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ju rikujtoni këtu vitin e zi 2015, kur Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci me mijëra plantacione kanabisi. Se si propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim i ri zhvillimi, pasurimi. Politikë kjo që u kundërshtua- e vërteta është- nga njerëz të përgjegjshëm në atë qeveri, konkretisht ish-zëvendëskryeministri.
Paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrim i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para, dhe paraja është e dobishme. Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve. Se sa shkatërrimtare është për ligjin, për demokracinë, për jetën, për ekonominë e një vendi kjo para. Dhe sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Europën.”, u shpreh ish-kryeministri.
Ai shtoi se Shqipëria është furnizuesi kryesor i Europës me drogë, madje në raportet botërore sipas tij duhet të renditet “e dyta pas Venezuelës, ose krahas Kolumbisë”.
Sipas tij, Shqipëria është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye: “Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë”.
“Ergys Agasi mori peng Ahmetajn për Ramën”
Mes shumë akuzave të tjera, Berisha u ndal dhe tek rezultatet zgjedhore, duke u shprehur se krimi ka futur 28 deputetë në Kuvend, madje ka emëruar dhe ministra. Në këtë kontekst, ai përmendi një biznesmen që sipas tij, ka marrë peng ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, sot në arrati, për llogari të Ramës.
“Kurse shqiptarët përjetojnë një narko-diktaturë. Ato diktojnë rezultatin e zgjedhjeve. Kanë futur në parlamentin aktual 28 deputetë me listë. Ato marrin çdo vendim, emërojnë çdo ministër. Ju rikujtoj këtu se Ergys Agasi, për llogari të bandave dhe të tij, ka larguar nga detyra 3 ministra të brendshëm. Kush ishte Ergys Agasi? Njeriu më i afërt në çdo aspekt i Edi Ramës. Njeriu më i afërt. Njeriu që merrte pengje për Edi Ramën dhe që organizon t’i sjellë peng edhe Arben Ahmetajn për shkak të denoncimeve që i bën ai nga Lugano.”, tha Berisha.
Në këtë takim, kryedemokrati përsëriti kërkesat e tij për krijimin e një qeverie teknike, pasi sipas tij ndryshe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.




