Ndotja e lumit Gjanica në Fier, Prokuroria çon në gjyq kompaninë e naftës dhe drejtuesin teknik

Share

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e mjedisit nga ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Drizë dhe ka dërguar për gjykim drejtuesin teknik të uzinës, shtetasin R.Sh., si dhe shoqërinë “A” SHA si person juridik.

Sipas njoftimit nga Prokuroria e Fierit, ujërat e ndotura me mbetje hidrokarbure janë shkarkuar pa trajtim në një përrua që derdhet në lumin Gjanica, duke tejkaluar normat e lejuara të ndotjes.

Ndërkaq, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Sipas hetimeve, këto ujëra ishin krijuar gjatë funksionimit të uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndërprerjes së aktivitetit të saj.

Analizat laboratorike kanë konstatuar tejkalim të normave të lejuara. Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, përmbajtja e produkteve të naftës ka rezultuar 13,8 mg/l, ndërkohë që kufiri i lejuar nga Leja e Mjedisit është 10 mg/l. Ujërat janë klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.

Nga hetimet, sipas Prokurorisë, ka rezultuar se drejtuesi teknik R.Sh. kishte dijeni për ekzistencën e pikës së shkarkimit dhe kishte detyrimin dhe mundësinë për ta mbyllur, kontrolluar ose pajisur me sistem trajtimi, por nuk kishte marrë masa për parandalimin e ndotjes.

Prokuroria pretendon gjithashtu se vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, përmes shkarkimit të ujërave të patrajtuara, shmangte kostot e trajtimit dhe transportimit të tyre.

Sipas organit të akuzës, kjo situatë është favorizuar edhe nga mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes nga organet drejtuese të shoqërisë.

Read more

Local News