Vetëm një javë më parë i liruar nga qelia, Selami Hasani është gjetur i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në lagjen “1 Maji” në Fier ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur i vëllai.
Dyshohet se shkak për vrasjen e Hasanit, i njohur ndryshe si Sel Çami alias Seli i malit, të jetë bërë hasmëria me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si Ben Qimja, një person me precedentë penal, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.
Viktima ishte dënuar për vrasjen e Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002 dhe që prej asaj kohe konflikti kishte mbetur i pazgjidhur. Selami Hasani u arrestua pas 7 vitesh në kërkim në banesën e tij ku iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta. Pas rreth 11 vitesh të vuajtura nga dënimi prej 25 vitesh, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021.
Policia e Fierit është vënë në ndjekje të autorëve ndërsa një automjet i djegur është gjetur në fshatin Dermenas i dyshuar se u përket vrasësve.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

