Në fjalën e tij në aktivitetin me temë ‘Rrugëtimi drejt ngritjes dhe funksionimit të sistemit të ri elektronik të deklarimit të interesave private të personave të zgjedhur dhe disa nëpunësve publik’ ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca komentoi edhe situatën politike. Soreca apeloi palët për dialog ndërsa shtoi se është koha për kompromis për reformën zgjedhore.
“ Duhet dialog për reformën zgjedhore, ka ardhur koha për kompromis. Qeveria dhe opozita duhet të ulen në një tryezë, duhen disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Qeveria dhe opozita të takohen në mes të urës” u shpreh Soreca. Duke komentuar procesin për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, ambasasdori i BE theksoi se ka ende afat, ndaj duhet të presim.
“Lufta kundër korrupsionit është prioritet kyç, korrupsioni ul reputacionin e vendit. Lufta ndaj këtij fenomeni kërkon kërkon vullnet politik. Sistemi i deklarimit të pasurisë është i rëndësishëm” u shpreh Soreca ndërsa shtoi se korrupsioni ka efekt shkatërrues në ekonomi.
Në aktivitet, krahas ambasadorit të BE-së ishte edhe kreu i ILDKPKI-së.
(BalkanWeb)




