Policia e Elbasanit ka vënë në pranga pronarin e një lokali në Belsh, të cilin e shfrytëzonte për veprimtari të kundërligjshme.
Bazuar mbi informacionet e marra nga komuniteti se në ambientet e një lokali u shpërndahej lëndë narkotike e dyshuar kokainë klientëve të ndryshëm, si dhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion, policia finalizoi operacionin policor “Liqeni”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Edmond Çipllaka, 43 vjeç, banues në Fier.
Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 5 shtetase për veprën penale “Prostitucioni”.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 14.7 gramë pluhur i dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë, një peshore elektronike, automjeti në pronësi të shtetasit Edmond Çipllaka si dhe 6 aparate telefonike celulare.
Gjithashtu ky shtetas nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokali, duke bërë të mundur fshehjen e të ardhurave.Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” , “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Fshehja e të ardhurave”, në ngarkim të shtetasit Edmond Çipllaka.
Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, ose në aplikacionin “Komisariati Dixhital” kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.




