Këtë të shtunë, naftëtarët e uzinës së Ballshit dolën sërish në protestë për mungesën e lëndës së parë, të naftës bruto. Ata kërkojnë ndihmën e shtetit që të ndërhyjë për furnizimin e uzinës ku punojnë rreth 1 mijë persona.
Kjo rafineri prej një jave ka ndaluar punën, pasi nuk furnizohet me sasi të mjaftueshme të naftës bruto duke lënë shumë punëtorë të papunë.
Banorët i janë drejtuar rafinerisë së Fierit duke protestuar me pankarta në duar ku shkruanin, “Nafta është jeta jonë”, “Duam punë”, “Duam naftë bruto” etj.
Sipas naftëtarëve, sasia e naftës bruto që duhet të shkojë në rafinerinë e Ballshit duhet të jetë 50 mijë ton në muaj, ndërkohë që shkon në masën e 20-22 mijë tonëve duke e bërë të pamjaftueshme sasinë e kërkuar. Po sipas tyre, kompanitë Alpetrol dhe Bankers të cilët duhet të bëjnë furnizimin e rafinerisë me lëndë të parë nuk kanë zbatuar marrëveshjet për furnizimin me naftë bruto të “Tosk Energy” dhe “Bylis Energy”.
“Për shkak të mungesës së naftës është pezulluar edhe puna. Nafta e Marinzës është cilësore për punën e uzinës, por është e pamjaftueshme. Uzina kërkon 2500 ton naftë në ditë që të punojë me kapacitet të plotë që të mbajë 1 mijë punëtore. Për këtë arsye shteti të ndërhyjë te Bankers, të na japë cilësinë dhe sasinë e duhur të naftës”.
Rreth 1000 punëtorë të Uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh mbeten pa punë pasi nuk ka sasi të mjaftueshme të lëndës së parë.
Të gjithë punonjësit kanë paralajmëruar se nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje, atëherë ata do ti drejtohen kryeministrisë.




