Banorët e Gjoricës janë ngritur në protestë këtë të hënë për Rrugën e Arbrit. Në shenjë revolte ata kanë bllokuar për disa minuta qarkullimin, ndërsa kanë thënë se janë të izoluar.
Sipas tyre firma që po kryen punimet nuk ka lënë rrugë dalëse, ndaj thonë se janë izoluar. Nëse nuk do të ketë plotësim të kërkesave, ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës.
“Këtu është një problem shqetësues, e kemi ngritur këtë problem disa herë. Na kanë thënë që këtu do lihet hyrja, tani e kanë bllokuar. Pse të bllokohet vetëm, populli i Gjoricës? Këtë duam ne, duam rrugë dalje”, thanë banorët.
Banorët shprehen se firma nënkontraktore që ka ndërtuar këtë lot të Rrugës së Arbrit nuk është konsultuar me ta.
“Këtë rrugë e zuri firma, në bashkëpunim me shtetin nuk e di si kanë punuar. Projektin e kanë bërë sipas qejfit të vet këta. Ne na ka bllokuar brenda, nuk kemi nga të lëvizim fare”, u shprehën banorët.




